Tepelenë - Një 19-vjeçar është shpallur në kërkim dhe një 20-vjeçar do të hetohet në gjendje të lirë pasi kërcënuan me armë gjahu bashkëmoshatarin e tyre.

Sipas njoftimit të policisë të rinjtë i kanë dëmtuar edhe makinën 23-vjeçarit, i cili gjithashtu do të hetohet në gjendje të lirë, pasi në makinë iu gjet një sasi kanabisi.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Tepelenë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin E. A., 20 vjeç, banues në Libohovë, si dhe shpallën në kërkim shtetasin S. A., 19 vjeç, banues në fshatin Progonat, pasi dyshohet se këta shtetas, për motive të dobëta i kanë dëmtuar automjetin dhe e kanë kanosur me armë gjahu shtetasin B. K., 23 vjeç, banues në Gjirokastër. Punohet për kapjen e 19-vjeçarit.

Gjithashtu, nisi procedimi penal dhe për shtetasin B. K., pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi të vogël lëndë narkotike cannabis”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.