TEPELENË - Policia ka zbuluar ditën e sotme, një shtëpi bari, në zonën e Kurveleshit, konkretisht në rrugën e fshatit Veliqot. 

Pas disa informacioneve për prezencën e kanabisit në zonë, policia ka ndërmarrë një aksion, ku ka gjetur një ambient të mbyllur, e cila më pas rezultoi se ishte përshtatur si shtëpi bari.

"Si rezultat i kontrolleve dhe inteligjencës policore  shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Tepelenë në bashkëpunim me shërbimet e OSHEE-së, në rrugën e fshatit Veliqot kanë zbuluar një ambient (shtëpi e pabanuar) të përshtatur me llamba që furnizoheshin me energji elektrike, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa në vazo",-bën me dije deri tani policia.

Në këtë banesë, e cila ishte ngritur infrastruktura e nevojshme për rritjen e bimëvë narkotike - me llamba që furnizoheshin me energji elektrike - Report Tv ka mësuar se janë gjetur të paktën 230 rrënjë kanabisi.

Ndër të tjera, korrespondenti Piro Nase ka mësuar se deri më tani  policia ka shoqëruar në Komisariatin e Tepelenës 5 persona, ku njëri prej tyre dyshohet se është kryesori në këtë vepër të jashtëligjshme.

Ndërkohë vijon aksioni policor për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.