Në ditën e Sulltan Novruzit, një nga festat më të rëndësishme të bektashizmit, kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje mbresëlënëse nga Teqeja e Zallit në Gjirokastër, një nga qendrat më të njohura shpirtërore në jug të vendit .
Bektashizmi në Shqipëri ka rrënjë të hershme. Sipas të dhënave historike, misionarët e parë mbërritën në vend mes shekujve XIV dhe XV, duke shtrirë ndikimin e tyre në disa qytete, mes tyre edhe Gjirokastra .
Vetë Teqeja e Zallit lidhet me figurën e Muhamet Asim Babait, i cili mbërriti në Gjirokastër në vitin 1778 dhe themeloi teqenë rreth vitit 1780. Ai konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të bektashizmit dhe një udhërrëfyes shpirtëror me ndikim të madh.
Me kalimin e viteve, teqeja u kthye në një qendër të rëndësishme kulturore dhe fetare, me bibliotekë të pasur dhe aktivitet të gjerë në përhapjen e bektashizmit në jug të vendit dhe më gjerë.
Në drejtimin e saj kanë kaluar dhjetëra klerikë të njohur, të cilët kanë kontribuar në forcimin e këtij komuniteti ndër vite.
Ajo ka luajtur një rol të rëndësishëm edhe gjatë periudhës së Lidhjes së Prizrenit, duke u kthyer në një shkollë klandestine shqiptare ku u zhvilluan aktivitete të rëndësishme shqiptare për mbrojtjen e identitetit kombëtar.
Edhe sot, Teqeja e Zallit mbetet një nga pikat më të rëndësishme të besimit bektashi në Shqipëri, duke ruajtur traditën dhe historinë e saj.
Komente











