Deputetja socialistja, Klodiana Spahiu, anëtare e komisionit të Shëndetësisë, zbuloi para kolegëve opozitarë se udhëzimi i ministrisë për terapinë hormonale të transgjinorëve në QSUT, është ndryshuar. Sipas saj, kësaj terapie do t’i nënshtrohen vetëm personat mbi 18 vjeç dhe jo që nga mosha 14-vjeçare siç ishte në urdhrin e parë, e për të cilën duhej leja e prindit.

Klodiana Spahiu: Këta njerëz e marrin terapinë në mënyrë joprofesionale ajo që kërkohet përmes udhëzimit është që profesorët e endokrinologjisë bazuar në protokollet ndërkombëtare po kërkon që ajo që po ndodh në mënyrë joprofesionale të ketë një udhëzim për të mos marrë në qafë ata njerëz, mbi moshën 18 vjeç. Më gjeni aty ku shkruhet 14 vjeç, gjeni një moment aty ku thuhet fëmijë, apo që nuk janë mbi 18 vjeç.  Ky udhëzues nuk aplikohet nën moshën 18 vjeç. Udhëzuesi nuk përcakton skema rimbursimi.

Bardh Spahia: Ky është udhëzim pasi u tërhoq ministria.

Klodiana Spahiu: Unë kam këtë material...

Bardh Spahia: Ju nuk ju lejohet të keni atë material, dhe bëni sikur nuk e dini urdhrin e parë.

Opozita megjithatë në komision, kërkoi dëgjesë me ministren e Shëndetësisë Evis Sala. Sipas opozitës, qeveria do të shkojë në “shkatërrimin e familjes hetero burrë e grua”, ndërsa kërkoi sqarime lidhur me protokollin që do të zbatohet në këtë urdhër.

Deputeti socialist Vasil Llajo, por edhe Klodiana Spahiu, kërkuan leximin me kujdes të urdhrit dhe udhëzimit. Llajo nënvizoi rëndësinë e transparencës përpara realizimit të kërkesës me ngulm të opozitës për të thirrur ministren në seancë dëgjimore.

“Jam për transparencë pasi të sqarojmë udhëzimin publik, para se të thërrasim ministren që është tekniko-politike. S’jam këtu për të mbrojtur një mjekim kundër shëndetit publik, traditës familjare. Le të sqarojmë disa modalitete para se ta thërrasim ministren”, tha Llajo.

Komunikimi i kryetarit Bardh Spahia prodhoi edhe përplasje me homologun Eduard Shalsi që i tha “të kursente teatrin” nëse do të vijonte në të njëjtën formë.

Eduard Shalsi: Nëse doni ta ftoni ministren dhe cilindo të bindur për aktet kriminale, vazhdoni teatrin tuaj, por na kurseni kohën. Ministren s’do ta thërrasim këtu dhe s’do të marrim vendim për të thirrur ministren. Nëse keni dyshime, ndryshoni qasjen të paktën.

Bardh Spahia: Mos komentoni mënyrat e diskutimit të kolegëve. Sa kohë s’ju ndërhyhet... sugjerim, kjo deklarata juaj që nuk do të thirret ministrja ishte në emër të gjithë kolegëve apo personale? Se është mungesë respekti ndaj kolegëve dhe ndaj qytetarëve për t’u informuar për një vendim.

Eduard Shalsi: S’ke asnjë tagër të diskutosh mënyrën e komunikimit. Shihni veten tuaj, forcën politike tuajën. Ka një etikë komunikimi.

Përplasje të forta pati edhe mes Spahisë e socialistet Klodiana Spahiu. Zv/anëtarja i rikujtoi se trajtimi hormonal nuk rekomandohet për personat nën 16 vjeç, ndërkohë që Bardh Spahia e ndërpreu dhe i tha “mos manipuloni.”

Klodiana Spahiu: Nuk mund të më ndërprisni mua. Do ta ngresh komisionin që i takon. Është minimalja e etikës.

Bardh Spahia: Do ta ngre në nivelin që i takon kur merr përgjegjësinë që i takon mbi vete, detyrimin për të bërë transparencë. Kur nuk lejoni as thirrjen e ministres, ka rënë në nivelet më të ulëta të mundshme.

Klodiana Spahiu: Je në axhendën politike!

Bardh Spahia: Jam për interes të qytetarëve dhe opinionit publik!

‘Gjakrat’ u përpoq t’i qetësonte Llajo duke u përpjekur t’i bënte thirrje opozitës për të reflektuar dhe ndjekur fillimisht një fazë parapërgatitore, por si përgjigje mori revoltën e Spahisë. Llajo i tha se bie dakord me opozitën sa i përket protokolleve shëndetësore apo vlerave të familjes, por jo me daljen e nxituar në përfundime.

Vasil Llajo: Të bëjmë një fazë parapërgatitore.

Bardh Spahia: Sugjeroni të bëjmë fazë parapërgatitore dhe pastaj të thërrasim ministren?

Vasil Llajo: Të lexojmë ne si komision këtë udhëzimin.

Bardh Spahia: Të keni kohë për të lexuar urdhrin?

Vasil Llajo: S’e kam unë, e keni ju se nuk e keni lexuar fare.

Bardh Spahia: Unë s’e kam lexuar?

Vasil Llajo: Kështu thatë.

Në fund, Spahia kërkoi edhe votën e anëtarëve të komisionit për thirrjen e Salës, por pa sukses për palën e opozitës.