Tërheqja amerikane nga Afganistani, vendet e rajonit rrisin angazhimin diplomatik

Tërheqja amerikane nga Afganistani, vendet e rajonit rrisin angazhimin diplomatik

Foto ilustruese

Ndërsa tërheqja ushtarake Amerikane nga Afganistani është afër përfundimit, vendet e rajonit po shtojnë përpjekjet diplomatike që synojnë të ushtrojnë trysni mbi fraksionet afgane për të rifilluar bisedimet e bllokuara të paqes, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, dhe për të parandaluar rrëshqitjen e vendin në një luftë të plotë civile.

Frika për gjakderdhje të mëtejshme bazohet nga zgjerimi i shpejtë territorial i Talibanëve që kur trupat aleate të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s filluan zyrtarisht të largoheshin nga vendi në fillim të majit me urdhër të Presidentit Joe Biden. Tërheqja e plotë e trupave pritet të përfundojë më 31 gusht.

Grupi islamik ka minimizuar mundësinë e shpërthimit të një lufte civile në Afganistan pas tërheqjes së të gjitha trupave të huaja.

Analistët thonë se të gjithë fqinjët e afërt të Afganistanit dhe vendet e rajonit i shohin Talibanët si aktorë të ligjshëm politikë dhe një mur të mundshëm mbrojtës kundër militantëve të lidhur me terroristët e Shtetit Islamik që veprojnë nga bazat afgane.

"Rajoni është më i gatshëm për t'u angazhuar me Talibanët tani sesa në vitet 1990, sepse vendet e rajonit tani e shohin grupin e Talibanëve si një aktor më legjitim", tha Michael Kugelman, zëvendës drejtor i programit për Azinë në Qendrën Ëilson, me seli në Uashington.

"Marrëveshja e Talibanëve me Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar i dha grupit një shkallë të njohjes ndërkombëtare që po e kërkonte prej kohësh dhe kjo i bën aktorët rajonalë ta shohin atë si një grup më legjitim", vuri në dukje zoti Kugelman në komentet e tij me shkrim për Zërin e Amerikës.

Senatori pakistanez me ndikim, Mushahid Hussain, i cili kryeson Komisionin për Çështjet e Mbrojtjes të Dhomës së Lartë të Parlamentit, thotë se Kina, Irani dhe Rusia me sa duket "janë pajtuar me një Afganistan të dominuar nga Talibanët".

"Kina, Irani dhe Rusia kanë një farë niveli rehatie me Talibanët dhe ata janë të gatshëm të bashkëpunojnë me ta dhe t'u japin atyre legjitimitet, ndryshe nga vitet 1990, kur vetëm Pakistani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite i njohën ata", tha senatori Hussain për Zërin e Amerikës.

Një marrje totale e kontrollit të Afganistanit nga Talibanët ka ngritur perspektivën e një lufte të zgjatur civile si ajo e viteve 1990, e cila shpërtheu menjëherë pas tërheqjes së forcave pushtuese sovjetike.

Luftimet mes fraksioneve të ndryshme afgane i hapën rrugën ardhjes në pushtet të grupit Taleban me prirje islamike në Kabul në shtator të vitit 1996. Në fund të vitit 2001, Shtetet e Bashkuara rrëzuan nga pushteti Talibanët pas një operacioni ushtarak ndërkombëtar në Afganistan për shkak se qeveria e këtij vendi po strehonte udhëheqësit e rrjetit terrorist të al-Kaidës.

Zalmay Khalilzad, i dërguari i posaçëm amerikan për Afganistanin u kthye në rajon këtë javë për t’u "angazhuar në një diplomaci të vendosur dhe për të punuar në drejtim të arritjes së një marrëveshje paqësore midis Republikës Islamike [qeverisë Afgane] dhe Talibanëve", thuhet në një njoftim të Departamentit të Shtetit.

Në kryeqytetin e Katarit, Doha, ku Talibanët kanë një zyrë politike, janë zhvilluar bisedime paqësore me një ritëm të ngadaltë midis udhëheqësve kryengritës dhe negociatorëve të qeverisë afgane që nga shtatori i kaluar, por të ashtuquajturat negociata ndër-afgane kanë prodhuar pak sukses./VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kapshticë/ 5 ditët  e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat

Kapshticë/ 5 ditët e fundit, mbi 42 mijë hyrje dhe dalje në pikën e kalimit kufitar, shqiptarët kthehen në vendlindje për festat