TIRANE -  Kryeministri Sali Berisha bëri sot një hap mbrapa në lidhje me dhënien e nënshtetësisë shqiptare. Nga varianti i tij i parë, që përfshinte të gjithë shqiptarët etnikë kudo që ndodheshin, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, Berisha tha se ligji do të vlejë për shqiptarët që jetojnë në zonën Shengen apo në vende që kanë marrëveshje me këtë zonë. Jashtë kësaj skeme, mbeten shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës, të cilët kishin shfaqur edhe një interes më të madh ndaj nismës fillestare të shefit të Qeverisë shqiptare.

“Vendimi që duhet të marrim dhe sa më shpejt dhe për interes kombëtar... fitojnë të drejtën e shtetësisë shqiptare, të gjithë shqiptarët që kanë marrë shtetësinë e zonës Shengen dhe që jetojnë aty, se kërcënimi i vizave do bënte një veprim jo të mençur, të panevojshëm dhe të papranueshëm, që jetojnë në zonën Shengen dhe vendet që zona Shengen nuk ka viza”, -tha Berisha.

Propozimi i Kryeministrit me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, u pasua edhe nga tone nacionaliste të tij, të cilat ngjallën jo pak shqetësim në Europë. Vendet perëndimore u trembën duke menduar se një liberalizim i nënshtetësisë shqiptare, do të shkaktonte një fluks të rinj emigrantësh nga zonat e populluara me shqiptarë në Ballkan, të cilët do të përfitonin nga liberalizimi i vizave për shtetasit e Shqipërisë. Tërheqja e sotme e Kryeministrit Berisha nga pozicioni i tij fillestar, duket se ka si qëllim pikërisht qetësimin e kancelarive europiane, pavarësisht se do të sjellë zhgënjimin e shumë shqiptarëve në rajon.

(im/sg/shqiptarja.com)