Banorët e Divjakës kanë dalë për të 18-ën ditë në shesh për të protestuar kundër propozimit të PS për hartën e re territoriale, që parashikon shkrirjen e bashkisë Divjakë me Lushnjën.

Protestuesit kanë kërkuar që Divjaka të vijojë të qëndrojë bashki dhe të ruajë identitetin e saj, pasi në të kundërt sipas tyre, ata do të hasin vështirësi në marrjen e shërbimeve.

Megjithëse sipas tyre ka tentativa për ta shuar protestën, protestuesit premtuan se nuk do të ndalen derisa të plotësohet kërkesa e tyre: ‘Divjaka bashki’.

Mbrëmjen e së hënës, protestuesit i kanë bërë thirrje edhe kryetarit të bashkisë dhe administratës që të mbështesin protestën, pasi sipas tyre, ata kanë marrë votat e qytetarëve për t'ju shërbyer.

Pas mbylljes së fjalimeve, protestuesit vijuan ritualin e përnatshëm të marshimit në rrugët e qytetit, ku kanë ftuar edhe qytetarë të tjerë që t’i bashkohen lëvizjes së tyre.