Varianti i socialistëve për të ecur përpara me skenarin për uljen e moderuar të numrit të bashkive dhe ndarjen e vendit në rajone, e bën PD të bindur se me hartën e re territoriale, maxhoranca do të shkrijë të paktën 20 bashki.
“Ai kërkon të zbatojë më tej politikën e shpopullimit duke hequr edhe 20 bashki të tjera”, tha Berisha.
Kryedemokrati Berisha thotë se drejt kësaj ndarjeje të re, PS po shkon duke ndërprerë në mënyrë të habitshme konsensusin në Komisionin e Posaçëm të Reformës Territoriale.
“Edi Rama urdhëroi ndërprerjen e një procesi në vazhdim, për të cilin palët ishin plotësisht dakord të kërkohej shtyrja mbasi nuk kishte përfunduar as procesi i konsultimeve publike. Dhe pavarësisht nga dakordësia e arritur në komision për shtyrjen e afatit të punimeve të komisionit, Edi Rama e futi në rend dite për ta mbyllur këtë”, vijoi Berisha.
Maxhoranca do të prezantojë të enjten një raport mbi punën e deritanishme nga Komisioni për Reformën Territoriale, por pa një draft final. PD ka kërkuar shtyrjen e afatit pasi ende nuk kanë përfunduar konsultimet me të gjitha bashkitë, përfshirë edhe bashkinë e Tiranës, që për shkak të masës së arrestit me burg të kryebashkiakut Veliaj, Komisioni nuk ka arritur të zhvillojë dëgjesë me bashkinë më të rëndësishme të vendit.
Në konferencën për mediat, Berisha iu rikthye edhe akuzave për udhëtimet e kryeministrit duke njoftuar se PD do të kërkojë edhe njëherë komision hetimor për charterin e kryeministrit.
Komente










