A1Report sjell detajet e vendimit, ku Gjykata Kushtetuese rrëzon pretendimet e Partisë Popullore Kristiandemokrate të Shqipërisë, e cila kërkoi nga Gjykata shfuqizimin e ligjit për reformën territoriale si antikushtetues.
Në argumentet e saj PPKD listonte se ligji është hartuar me procedurë të përshpejtuar, çon në krijimin e grupimeve të mëdha e krijon një qeverisje jo eficente. Po ashtu në ankimimin e PPKD-së, thuhet se kjo reformë cënon parimin e decentralizimit si dhe është në shkelje të nenit 108 të Kushtetutës, i cili thotë se reforma duhet të konsultohet me popullsinë.
Por duke rrëzuar këtë kërkesë me vendimin nr 190, datë 20 nëntor 2014 në pikën 9 gjykata shpjegon se “në këndvështrimin e mësipërm, Kolegji vëren se kërkuesi ka detyrimin të provojë interesin e tij në lidhje me çështjen, lidhjen e domosdoshme që ekziston ndërmjet misionit që ka dhe marrëdhënies juridike të cenuar nga dispozitat përkatëse të ligjit nr. 101/2014, datë 31.7.2014 “Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë”.
Po ashtu argumenton gjykata kërkuesi “përveç referimit në nenet 13 dhe 108/2 të Kushtetutës, nuk ka arritur të argumentojë në nivel kushtetues se në ç’mënyrë ligji objekt kërkese ndikon ne pozicionin e tij si subjekt politik në raport me zgjedhjet dhe cilat janë pasojat negative të ardhura për të".
E për këto arsye shprehet kushtetuesja në vendimin e saj, është rrëzuar kërkesa dhe nuk është kaluar për shqyrtim në seancë.
E teksa ky vendim tashmë është zbardhur, janë po të njëjtat argument që 1/5 e deputetëve të Partisë Demokratike kanë paraqitur në Gjykatën Kushtetuese për të shpallur antikushtetues ligjin për ndarjen e re territoriale. Por në ndryshim nga Partia Popullore Kristiandemokrate, për PD-në Gjykata Kushtetuese ka hapur procesin. Në mbledhjen e parë u rrëzua kërkesa e PD për pezullimin e ligjit, por u shqyrtua kërkesa e dytë, për ta shpallur këtë ligj antikushtetues. Gjykata ende nuk ka zbardhur një vendim përballë ankimimit të demokratëve për reformën territoriale të miratuar me votat e mazhorancës në Korrik të këtij viti.
Vendimi i plote i Gjykates Kushtetuese qe rrezoi PPDKSH
Ja cilat jane 5 pretendimet e PD-se të paraqitura në Kushtetuese nga deputeti Oerd Bylykbashi
U shkelën procedurat parlamentare
Oerd Bylykbashi: Ligji “Për Reformën Territoriale” është antikushtetues sepse është miratuar me procedurë të përshpejtuar dhe nuk ka respektuar procedurat parlamentare.
U shkri komuna, e përcaktuar në Kushtetutë
Oerd Bylykbashi: Ligji ka shkelur hierarkinë e normave kushtetuese dhe nuk respekton nenin 108, pika 1 të Kushtetutës, që përcakton komunën si njësinë bazë të qeverisjes vendore, e cila në ligjin e ri nuk ekziston më.
Cenohet parimi i barazisë së votës
Oerd Bylykbashi: Ligji ka cenuar parimin e barazisë së votës dhe të përfaqësimit të të zgjedhurve. Kriter për ndarjen e re komisioni i posaçëm ka marrë të dhënat e censusit të vitit 2011, dhe jo të dhënat e Gjendjes Civile, dhe është bazuar te banorët rezidentë. Diku një këshilltar përfaqëson 6 mijë banorë dhe diku përfaqëson një mijë banorë. Kjo bashkë me hartën e ndarjes bëhet për të ndikuar në votën e qytetarëve, ky është kriter politik.
U shkel Kushtetuta, nuk u pyetën komunitetet
Oerd Bylykbashi: Ligji ka shkelur nenin 108, pika 2 të Kushtetutës, ku thuhet se “kufijtë e tyre nuk mund të ndryshohen pa u marrë me parë mendimi i popullsisë që banon në to”. Sondazhi i paraqitur si i rrallë, me 16 mijë qytetarë, nuk duhej konsideruar nga Kuvendi si standard për konsultimin me popullatën.
Cenon parimin e sigurisë juridike
Oerd Bylykbashi: Ligji i ri ka shfuqizuar ligjin ekzistues të organizimit dhe funksionimit të qeverisjes vendore duke cenuar dhe funksionimin e pushtetit vendor. Ligji ka prishur dhe strukturën e ZAZ-ve, që është baza e elektorale e zgjedhjeve, duke futur në kolaps zgjedhjet e ardhshme vendore.
Kerkesat e Partia Popullore Kristiandemokrate të Shqipërisë
Partia Popullore Kristiandemokrate e Shqipërisë, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese (Gjykata) me kërkesë për shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të ligjit objekt kërkese, duke argumentuar se:
Ligji për reformën administrativo-territoriale është hartuar në mënyrë të përshpejtuar dhe të njëanshme nga mazhoranca, si dhe pa konsensusin e opozitës;
Harta e re territoriale, e miratuar me ligjin objekt kërkese, çon në krijimin e grupimeve të mëdha që ndikojnë në: a) qeverisje joeficiente të pushtetit vendor; b) dëmtimin e mekanizmave të demokracisë përfaqësuese dhe dobësimin e instrumenteve të demokracisë direkte. Gjithashtu, ndarja e re territoriale çon në pengimin e politikave afatgjata të zhvillimit të infrastrukturës dhe lë pas dore zonat rurale.
Është cenuar parimi i decentralizimit dhe autonomisë vendore, pasi hartimi i reformës duhet të ishte paraprirë edhe nga ndryshimet në ligjin që rregullon funksionimin e njësive të qeverisjes vendore dhe reforma elektorale;
Në miratimin e ligjit nuk janë respektuar kriteret e parashikuara në nenin 108 të Kushtetutës. Në kuptim të paragrafit 2 të këtij neni, ligjvënësi duhet të kishte konsultuar ndarjen e re territoriale me popullsinë që banon në to, si një kusht paraprak, mungesa e të cilit ka sjell si pasojë antikushtetueshmërinë e ligjit objekt kërkese.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)