Komisioni i Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale u mblodh sot për të diskutuar mbi ecurinë e punës dhe raportet e paraqitura nga ekspertët.

Gjatë fjalës së tij, bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku ka propozuar që përpara seancës plenare të datës 23, ku do të bëhet një raport për punën e Komisionit, të dëgjohen konkluzionet  e ekspertëve, të cilët kanë dalë me 2 raporte.

Ekspertët e propozuar nga opozita kanë dalë me një raport të tyren, ndërsa ata të propozuar nga mazhoranca kanë dalë me raport më vete.

“U dakordësua që të marrim një numër ekspertësh për tre fushat e punës, për tërritorin, për komptetencat, për financat. Ishte një grup ekspertësh, që në teori, pavarësisht se ishin propozuar nga të dy palët politike, duhet të punonin si një grup i përbashkët ekspertësh dhe të vinin me një raport të përbashkët të gjetjeve. Par fat të keq nga ana e procedurës kjo ka qenë e pamundur dhe ne kemi dorëzuar në sekretariatin teknik të komisionit 2 raporte. 1 raport nga ekspertët e propozuar nga opozita dhe një raport të propozuar nga ekspertët e mazhorancës.

Unë kam kërkuar që të kemi sot një seancë që të dëgjojmë gjetjet e raporteve të ekspertëve, t’i japim nga 45 minuta kohë secilit grup ekspertësh dhe më pas nga këto gjetje të bëjmë një diskutim si ecet përpara. Mendoj se në respekt të punës së ekpertëve, para se ne të shkojmë në seancën e datës 23 për të bërë një raport në atë seancë për punën e komisionit, është shumë e domosdoshme të dëgjojmë edhe konkluzionet e ekspertëve, si në fushën e kompetencave, si në fushën e financave dhe në aspektin territorial. Ky është propozimi jonë për çështjen e axhendës”, tha mes të tjerash Mazniku.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat i Komisionit, deputeti Luciano Boçi, kritikoi mënyrën se si mazhoranca sipas tij po përpiqet të përshpejtojë procesin, duke anashkaluar disa prej etapave të miratuara në projektkalendarin e punës.

“Ne e ftojmë Komisionin të respektojë veten dhe vendimet që ka miratuar. Kemi një projektkalendar dhe nuk mund të digjen etapat e përcaktuara në të”, deklaroi Boçi.

Sipas tij, raporti i paraqitur mbështetet kryesisht mbi Reformën Administrativo-Territoriale të vitit 2014, ndërkohë që Komisioni duhet të zhvillojë fillimisht një analizë të plotë të reformës ekzistuese dhe më pas të përcaktojë parimet mbi të cilat do të ndërtohet reforma e re.

Boçi ngriti pikëpyetje mbi punën e ekspertëve të mazhorancës për një model të ri territorial, në një kohë kur sipas tij Komisioni ende nuk ka miratuar parimet dhe metodologjinë mbi të cilat duhet të bazohet reforma.

“Si mund të kenë punuar ekspertët e mazhorancës për Reformën Administrativo-Territoriale 2, kur ende nuk kemi përcaktuar parimet e saj?”, pyeti ai.

Bashkëkryetari i Komisionit evidentoi gjithashtu se procesi i dëgjesave nuk ka përfunduar. Sipas tij, dëgjesa për Qarkun e Tiranës ende nuk është mbyllur, ndërsa kryetarët e bashkive të Tiranës, Vlorës, Shkodrës dhe Lezhës nuk janë paraqitur në Komision, megjithëse ishin të detyruar të merrnin pjesë.

Ai shtoi se nuk janë zhvilluar ende dëgjesat me komunitetet, grupet e interesit dhe institucionet ndërkombëtare, nuk është realizuar sondazhi publik dhe as vizitat studimore të parashikuara në kalendar.

“Ku është dokumenti politik? Ku janë dy ose tre variantet që duhet t’i paraqiteshin Komisionit? Si mund të flasim për një raport përfundimtar, kur pjesa më e madhe e detyrimeve të miratuara nuk është realizuar?”, u shpreh Boçi.

Deputeti kërkoi shtyrjen e afatit të Komisionit deri në muajin tetor, me qëllim që puna të përfundojë në mënyrë serioze dhe të respektohen edhe afatet kushtetuese për ndryshimet ligjore.

Ai solli si argument edhe shtyrjen e afatit të Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke theksuar se puna e dy komisioneve është e lidhur drejtpërdrejt.

“Kemi plotësuar vetëm dy pika e gjysmë të projektkalendarit. Duhet të përfundojmë pikën e tretë dhe të bëjmë një punë që i shërben qytetarëve, jo një reformë të nxituar dhe të paracaktuar”, deklaroi Boçi.

Sipas tij, dëgjesat e zhvilluara deri tani kanë treguar se propozimi për reduktimin e numrit të bashkive nuk gëzon mbështetje të gjerë. Përkundrazi, një pjesë e dëshmive dhe propozimeve të paraqitura kanë kërkuar ruajtjen e 61 bashkive ose shtimin e numrit të tyre.

“Ne nuk po imponojmë mendimin tonë. Po kërkojmë vetëm respektimin e rendit të ditës dhe të projektkalendarit që është miratuar me votë nga vetë Komisioni. Pretendoni që e kemi vonuar ne, hap emailet, nëse unë e kam kundërshtuar mbledhjet, nxirri këtu. Vonesat mes dëgjesave, nuk kanë ardhur prej nesh. Kemi pritur 5 javë që në dëgjesën e Korcës të vinte kryetari i Kuvendit, nuk erdhi dhe dëgjesa u bë me vonesë, për Bashkinë e Tiranës, pritëm kaq kohë se nuk vinte kryetarja e komanduar, ju e shtytë, me qarkun e Tiranës nuk është bërë vonesë”, theksoi Boçi.

Nga ana tjetër, deputetja e PD-së, Jorida Tabaku, tha gjatë fjalës së saj se Komisioni nuk mund të dilte në një përfundim, pa u realizuar ende dëgjesat për qarkun e Tiranës.

Duke theksuar se politika e ka detyrim që të realizojë një dëgjesë për Reformën Territoriale me qytetarët e Tiranës, Tabaku shtoi se sot ende nuk ka një raport për reformën e vitit 2014, për të analizuar gabimet që ajo ka pasur.

“Nuk e di si mund të dalim me një gjetje kur ne s’kemi bërë dëgjesë për Tiranë, ne nuk kemi një raport për reformën e 2014, ne nuk duam një reformë për politikën, por një hartë për qytetarët. Qytetarët e Tiranës, minimalisht e kemi detyrim që t’i sjellim dikë këtu për dëgjesë. Mirë ajo zonja ka frikë të vijë, kryetari është atje ku është dhe ju thoni minimalisht mos të vij dikush e të flasë si ka funksionuar deri tani reforma e çfarë duhet të bëjmë”, tha mes të tjersah Tabaku.

Në oërfundim Tabaku i kërkoi të pranishmëve të ngrihen mbi llogaritë politike dhe të bëjnë një reformë për qytetarët, në shërbim të tyre.

“Duhet të ngrihemi mbi llogaritë politike, të bëjmë një reformë për qytetarët, të bëjmë një reformë në terren”, përfundoi Tabaku.

Ndërkohë lidhur me kërkesën e opozitës për shtyrjen e punimeve të Komisionit, Mazniku theksoi se axhenda dhe kalendari i punës së komisionit janë propozuar me data dhe afate të përcaktuara, ndërsa theksoi se procesi është penguar me qëllim nga ana e opozitës.

Mazniku tha gjithashtu se gjatë këtyre nëntë muajve nga konstituimi i komisionit, opozita ka pasur qasje për shtyrjen e afateve në mënyrë të vijueshme, ndërsa mazhoranca ka qenë e hapur për të akomoduar kërkesat e saj.

"Po, axhendën e kemi propozuar ne. Kemi propozuar axhendën dhe kalendarin e punës, me kolona, data dhe afate të përcaktuara. Ajo që na ka karakterizuar në mënyrë konstante ka qenë një axhendë e qartë nga ana e opozitës për të djegur afatet e vendosura. Që nga data e konstituimit kanë kaluar 9 muaj. Ka pasur raste kur është thënë: 'Jo këtë javë, sepse kemi protestë.' Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të akomoduar çdo kërkesë të opozitës. Mazhoranca ka qenë shumë transparente dhe ka përgjegjësinë, si edhe barrën qeverisëse. Axhenda, në mënyrë sistematike, është penguar nga opozita. Duhej të kishim zhvilluar shumë më tepër takime dhe të kishim përfunduar dëgjesat tematike, por kjo është pamundësuar për shkak të mungesës së gatishmërisë për të zhvilluar mbledhje nga ana juaj", theksoi Mazniku.

Në argumentin e tij, Mezniku nënvizoi se reforma nuk mund të shtyhet më, pasi lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 dhe objektivin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2029. Ai shtoi se çdo vonesë do të shtynte efektet e reformës deri në vitin 2031, duke u kushtuar qytetarëve gati një dekadë të humbur.

“Unë e kam kërkuar këtë mbledhje për raportin që para tre javësh. Kemi diskutuar për tre javë për të ardhur deri në ditën e sotme. Nuk mund të vijmë në një komision dhe të themi se nuk janë bërë punët, ndërkohë që jemi në një komision me paritet të plotë. Kujt i kërkohet llogari për axhendën? Kuvendi ka kërkuar që kjo punë të përfundojë brenda 9 muajve.

Kërkesa ime ka qenë sistematike dhe e thjeshtë, të dëgjojmë sot ekspertët, të bazohemi te dëgjesat dhe te debati që është zhvilluar, e më pas të shohim nëse mund të shkojmë me një raport në Kuvend në seancën e datës 23. Ne nuk mund të shkojmë në datën 23 në Kuvend pa një raport dhe pa dëgjuar ekspertët", tha më tej Mazniku.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:19
‘Territorialja’/ PD kërkoi shtyrjen e afatit të punës së Komisionit, Mazniku: Opozita në mënyrë sistematike ka penguar axhendën, s’kemi kohë për të humbur

1784125278_ytuuioop.jpg

Mbledhja e radhës e Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale ka nisur me debate mes pozitës dhe opozitës.

Teksa opozita, përmes Luçiano Boçit kërkoi shtyrjen e afatit të punës së Komisionit, bashkëkryetari socialist Arbjan Mazniku theksoi se axhenda dhe kalendari i punës së komisionit janë propozuar me data dhe afate të përcaktuara.

Mazniku tha se gjatë këtyre nëntë muajve nga konstituimi i Komisionit, opozita ka pasur qasje për shtyrjen e afateve në mënyrë të vijueshme, ndërsa mazhoranca ka qenë e hapur për të ‘akomoduar’ kërkesat e saj.

"Po, axhendën e kemi propozuar ne. Kemi propozuar axhendën dhe kalendarin e punës, me kolona, data dhe afate të përcaktuara. Ajo që na ka karakterizuar në mënyrë konstante ka qenë një axhendë e qartë nga ana e opozitës për të djegur afatet e vendosura. Që nga data e konstituimit kanë kaluar 9 muaj. Ka pasur raste kur është thënë: 'Jo këtë javë, sepse kemi protestë.' Ne kemi qenë gjithmonë të hapur për të akomoduar çdo kërkesë të opozitës. Mazhoranca ka qenë shumë transparente dhe ka përgjegjësinë, si edhe barrën qeverisëse. Axhenda, në mënyrë sistematike, është penguar nga opozita. Duhej të kishim zhvilluar shumë më tepër takime dhe të kishim përfunduar dëgjesat tematike, por kjo është pamundësuar për shkak të mungesës së gatishmërisë për të zhvilluar mbledhje nga ana juaj", tha Mazniku.

Mazniku theksoi se reforma nuk mund të shtyhet më, pasi lidhet me zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 dhe objektivin e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian në vitin 2029. Ai shtoi se çdo vonesë do të shtynte efektet e reformës deri në vitin 2031, duke u kushtuar qytetarëve gati një dekadë të humbur.

“Unë e kam kërkuar këtë mbledhje për raportin që para tre javësh. Kemi diskutuar për tre javë për të ardhur deri në ditën e sotme. Nuk mund të vijmë në një komision dhe të themi se nuk janë bërë punët, ndërkohë që jemi në një komision me paritet të plotë. Kujt i kërkohet llogari për axhendën? Kuvendi ka kërkuar që kjo punë të përfundojë brenda 9 muajve. Kërkesa ime ka qenë sistematike dhe e thjeshtë, të dëgjojmë sot ekspertët, të bazohemi te dëgjesat dhe te debati që është zhvilluar, e më pas të shohim nëse mund të shkojmë me një raport në Kuvend në seancën e datës 23. Ne nuk mund të shkojmë në datën 23 në Kuvend pa një raport dhe pa dëgjuar ekspertët", përfundoi Mazniku.