LONDER - Një ngjarje e rëndë ka tronditur kryeqytetin britanik. Një ushtar është masakruar me thika në Juglindje të Londrës. “BBC” e “Reuters” shkruajnë se autorët e dyshuar janë dy nigerianë. Ata e kaluan natën nën arrest në spital, teksa policia vazhdon të hetojë vrasjen në Woolwich.

Dy të dyshuarit u qëlluan dhe u plagosën nga forcat e rendit, menjëherë pas sulmit. Një prej tyre, i lyer me gjak, ishte filmuar nga kalimtarë të thoshte se e kreu sulmin për hakmarrje, pasi ushtarët britanikë vrasin myslimanë çdo ditë. Dëshmitarët thanë se ata bërtisnin slogane islamike. Nuk bënë asnjë përpjekje për t’u larguar nga vendngjarja, madje u kërkuan njerëzve që kalonin aty, t’i fotografonin me viktimën e tyre në krah.

Njëri prej tyre tha: “U kërkoj ndjesë grave që panë këtë ngjarje, por në vendin tonë, gratë i shohin këto skena përditë. Ju nuk do të jeni kurrë të sigurtë. Largojeni qeverinë tuaj, nuk duan t'ia dinë ju.” Një grua që iu afrua për ta ndalur të vriste të tjerë, tha se vrasësi i kishte thënë se kërkonte të niste një luftë në Londër. “I thashë se ishte kundër të gjithëve. Do të humbësh”,-tha për “The Sun”, gruaja që është identifikuar si Indrig Loyau-Kennet, 48 vjeç nënë e dy fëmijëve.

CAMERON NDERPRET VIZITEN NE FRANCE

Kryeministri David Cameron ndërpreu vizitën e tij në Francë dhe u kthye në Britani, për të mbajtur një mbledhje emergjente. Në një konferencë për shtyp me presidentin francez, François Hollande, Cameron tha se Britania nuk do të përkulet kurrë përpara sulmeve terroriste. “I gjithë populli, popujt e tjerë do ta dënojnë fuqishëm këtë sulm. Terroristët nuk do të fitojnë kurrë”,-tha ai. Siguria rrugëve të kryeqytetit britanik është rritur në maksimum, pas sulmit që nga të gjithë u cilësua një akt terrorist.

Redaksia Online
(b.y/ shqiptarja.com)