Tesla thotë se të ardhurat e saj vjetore kanë rënë për herë të parë, ndërsa tashmë përqendrohet te inteligjenca artificiale (AI) dhe robotika.
Kompania e makinave elektrike e Elon Musk, raportoi një rënie prej 3% të të ardhurave totale në vitin 2025, kurse fitimet ranë me 61% në tre muajt e fundit të vitit.
Tesla po planifikon të ndalojë prodhimin e automjeteve të saj Model S dhe Model X. Tani ajo do të përdorë fabrikën e prodhimit në Kaliforni, që prodhonte këto makina, për të prodhuar linjën e saj të robotëve humanoidë të njohur si Optimus.
Në janar, kompania kineze BYD tejkaloi Teslan si prodhuesi më i madh i në botë i makinave elektrike, ndërsa përfshirja e Musk në politikë, si në SHBA ashtu edhe jashtë saj, ka qenë e diskutueshme.
Tesla gjithashtu zbuloi një investim prej 2 miliardë dollarësh në sipërmarrjen e inteligjencës artificiale të Muskut, xAI.
“Shumë investitorë na kërkuan të bëjmë këtë,” tha Musk për pjesëmarrjen e Teslas në raundin e fundit të financimit të xAI. “Ata thonë se duhet të investojmë në xAI, kështu që ne thjesht po bëjmë atë që aksionerët kërkuan që të bëjmë.”
Ky veprim vjen pavarësisht një votimi të fundit të aksionerëve të Teslas mbi një propozim për të investuar në xAI. Abstenimet dhe votat kundër idesë tejkaluan ato që e aprovuan.
Vitin e kaluar, investitorët votuan masivisht për t’i dhënë Musk një paketë pagesash rekord që mund të arrijë vlerën e afërsisht 1 trilion dollarëve.
Për këtë pagesë, ai duhet të rrisë ndjeshëm vlerën e tregut të kompanisë gjatë 10 viteve të ardhshme.
Kompania gjithashtu pritet të rrisë ndjeshëm shpenzimet, me një vlerësim prej 20 miliardë dollarësh.
Tesla, e cila dikur ishte një nga kompanitë më fitimprurëse të makinave në botë, tashmë ka hyrë më thellë edhe në tregun e taksive që drejtohen nga një robot.
Komente











