‘Ky nuk është Tetori Rozë, është Tetori i zi!’. Kështu thuhet në deklaratën e zv,sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Brunilda Haxhiu, e cila thotë se qeveria sot nuk i ofron asnjë mbështetje, qoftë ekonomike, por dhe më kryesoret, medikamentet për kurim e infrastrukturën në spitale për tu kuruar.
Haxhiu është shprehur se gratë dhe vajzat e sëmura sot me kancer nuk kanë nevojë për foto propagandistike, por për mjekime dhe shtretër në spitale për të marrë në kohë trajtimin e kimioterapisë.
Deklarata e Zv. Sekretares së Përgjithshme të Partisë së Lirisë, Znj. Brunilda Haxhiu
Tetori duhet të ishte një muaj reflektimi dhe mbështetjeje për gratë që luftojnë me kancerin e gjirit. Ne fakt “Tetori Rozë” është kthyer në fushate propagande nga qeveria që ka shkatërruar sistemin shëndetësor publik. Me parrulla dhe foto përpiqen të fshehin një realitet të dhimbshëm: në Onkologjik mungojnë medikamentet jetike, aparaturat janë jashtë funksionit dhe pacientët trajtohen në kushte të papranueshme.
Në repartin e kimioterapisë në QSUT ka vetëm 19 poltrona për rreth 100 paciente në ditë . Një pamundësi njerëzore dhe mjekësore për të ofruar kujdesin e nevojshëm. Gratë që luftojnë me vdekjen, që janë në kushte të rënda shëndetësore dhe psikologjike, u duhet të presin me orë të tëra për të marrë kimioterapnë.
Për më tepër, mungesa e medikamenteve ka bërë që shumë prej tyre të ndërpresin trajtimin ose të detyrohen të shkojnë në klinika private, duke paguar shuma të papërballueshme. Ndërkohë që fushata rozë shkëlqen në media, në realitet spitalet publike janë kthyer në “zona gri” të dhimbjes, ku çdo ditë humben jetë që mund të shpëtoheshin.
Ky nuk është “Tetori Rozë”.
Ky është Tetori i Zi i një sistemi shëndetësor të rrënuar nga korrupsioni, keqmenaxhimi dhe mungesa e përgjegjësisë.
Raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka zbuluar një situatë alarmante në Spitalin Onkologjik: mungesë të medikamenteve jetike për muaj të tërë, ndërprerje të trajtimeve, përdorim të barnave jashtë protokolleve ndërkombëtare dhe aparatura kryesore jashtë funksionit, si mamografia dhe brakiterapia.
Në kushte të tilla, pacientët detyrohen të presin me ditë për një trajtim që shpesh nuk e marrin, ndërsa qindra të sëmurë janë kthyer në shtëpi pa ilaçet e tyre. Ky dështime që kanë cenuar drejtpërdrejt jetën dhe shpresën e grave që luftojnë për mbijetesë.
Ne kërkojmë që Ministria e Shëndetësisë të mbajë përgjegjësi për këtë situatë kriminale që vret çdo ditë me neglizhencë.
Gratë që po luftojnë për jetën e tyre nuk kanë nevojë për foto propagandistike, por për ilaçe, aparatura funksionale, kushte dinjitoze dhe mbështetje reale.
Sepse çdo vonesë në trajtim është një jetë e humbur.
Sepse çdo mungesë ilaçi është një akt shtetëror i papërgjegjshëm.
Nuk mund të flasim për tetor rozë, kur në spital mbizotëron errësira e zezë e braktisjes.
Partia e Lirisë qëndron në krah të grave që përballen me kancerin dhe kërkon:
• Furnizim të menjëhershëm me medikamente onkologjike;
• Vënien në funksion të aparaturave diagnostike e terapeutike;
• Rritjen e kapaciteteve spitalore dhe kushteve të trajtimit;
• Krijimin e një fondi të posaçëm për mbështetjen financiare dhe psikologjike të grave me kancer.
Shteti ka një detyrim moral dhe ligjor të garantojë kujdes shëndetësor dinjitoz për çdo grua që lufton me kancerin. Mungesa e kujdesit shëndetësor është shkelje e të drejtës për jetën dhe dinjitetin njerëzor.
Faleminderit!
Komente









