TIRANE - Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi është pritur sot nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, njëherësh Kryetar i PD-së, Lulzim Basha, me të cilin dha një deklaratë për shtyp pas takimit. 

Thaçi e ka falenderuar Bashën në dy drejtime: të parin, për ndërtimin e  rrugës së Kombit dhe të dytin, "për kontributin e tij të jashtëzakonshëm si Ministër i Jashtëm në procesin e njohjeve të Kosovës". Po ashtu, Thaçi e ka uruar edhe për zgjedhjen e tij si kryetar i ri i opozitës shqiptare me besim të plotë se do ta çojë Shqipërinë drejt integrimit europian.

Nga ana e tij, Basha, e ka garantuar kreun e qeverisë së Kosovës për mbështetjen e tij të plotë nga Partia Demokratike e Shqipërisë në të gjitha proceset që janë duke u ndërmarrë në Kosovë.

Pas këtij takimi, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi do takohet edhe me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishanin, që shënon edhe takimin e tij të fundit në axhendënn e Tiranës.

Që nga paraditja, ai është takuar me Kryeministrin në ikje, Sali Berishën dhe krerët e dy partive aleate, PS e LSI-së që do marrin pushtetin, Edi Ramën dhe Ilir Metën.

Redaksia online
(Armanda Shtëmbari/Shqiptarja.com)