TIRANE- Kryetari i Partisë Demokratike zhvilloi dje në selinë e PD-së një taktim me Menduh Thaçin, kreu i PDSH në Maqedoni. Pavarësisht se të dyja këto parti janë në opozitë, Basha bëri një presion ndaj qeverisë maqedonase për zbatimin e marrëveshjes së Ohrit nga ana e palës maqedonase. Në një poronincim pas takimit, Basha theksoi se e vetmja rrugë për integrimin e Maqedonisë në rrugën euro-atlantike është respektimi i plotë i marrëveshjes së Ohrit. “Partia Demokratike ka qenë dhe mbetet një përkrahëse e vendosur dhe e fuqishme e avancimit të të drejtave të komunitetit shteformues të shqiptarëve të Maqedonisë duke kërkuar me vendosmëri zbatimin pa vonesë dhe në mënyrë të plotë të të gjitha parashikimeve të marrëveshjes së Ohrit dhe duke kërkuar emancipimin e të gjithë shoqërisë në shtetin fqinj nëpërmjet respektimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni si rruga e sigurt e përparimit evropian dhe euroatlantik të Maqedonisë.

Çmoj në këtë kuadër qëndrimet e Partisë Demokratike Shqiptare dhe të kryetarit Menduh Thaçi në avancimin e këtyre qëllimeve të përbashkëta dhe ndava me të vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike se pavarësisht nga rrugët e ndryshme dhe pozitat e ndryshme të faktorit politik shqiptar në Maqedoni e rëndësishme është që objektivi të jetë dhe të mbetet i njëjti, plotësimi dhe garantimi i të gjitha të drejtave humane, kushtetuese, ligjore, evropiane të komunitetit shtetformues të shqiptarëve të Maqedonisë si një parakusht i rëndësishëm i udhëtimit evropian të shtetit fqinj lindor, si një parakusht i integrimit evropian të të gjithë rajonit të Europës Juglindore”, tha Basha.

Kjo deklaratë e tij vjen edhe në një formë presioni për palën maqedonase pasi Shqipëria është anëtare me të drejta të plota në NATO, çka do të thotë se në mos respektimi të plotë të marrëveshjes së Ohrit, opozita shqiptare mund t’i kërkoi qeverisë që të mos jap dritën jeshile për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Kjo do të ishte një problem serioz për shtetin maqedonas pasi krahas Greqisë, një tjetër pengesë për anëtarësimin e saj në NATO mund të bëhet edhe Shqipëria, ose opozita shqiptare.
Kreu i PDSH-së në Maqedoni, Menduh Thaçi, në prononcimin e tij pas takimit të zhvilluar me kreun e PD-së, Lulzim Basha, theksoi se situata e shqiptarëve në Maqedoni është tejet e rënduar pasi politikat integruese për ta në shtetin fqinjë nuk janë të mjaftueshme.

“Përsa i përket Maqedonisë, ballafaqohemi me një situatë të rëndë të bllokimit të proceseve integruese që paraqet një pengesë serioze të integrimit të shqiptarëve në sistemin e vlerave perëndimore dhe në të njëjtën kohë një gatishmëri e pashpjeguar e qeverisë për ti shkelur të gjitha marrëveshjet, qofshin të brendshme apo ndërkombëtare që kanë të bëjnë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve. Ndjehemi bashkërisht të bashkëpunojnë në të ardhmen vetëm për të mirën e njerëzve dhe për të keqen e askujt. Dhe ky takim po ashtu duhet të kuptohet nga të gjithë, pa marrë parasysh ky gjendem dhe çka përfaqësoj se është një takim i dëshirave të mira dhe sukseseve të të gjithë shqiptarëve”,- tha ai.

Takimi ndërmjet Bashës dhe Thaçit u bë me ftesë të këtij të fundit. Menduh Thaçi theksoi se kishte kërkuar që të takohej me kreun e PD-së Lulzim Basha për ti uruar personalisht marrjen e detyrës së re në krye të partisë më të madhe opozitare. “Kërkesa për t’u takuar ishte e imja. Normalisht kisha shumë dëshirë që z Basha t’i uroj funksionin e ri drejtues në Partinë Demokratike të Shqipërisë dhe opozitës”,- theksoi kreu i PDSH në Maqedoni.


 Shkrimi u publikua sot (07.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)