Thaçi-Nuland: Qeveria do formohet
në bazë të rezultatit zgjedho

Thaçi-Nuland: Qeveria do formohet<br />në bazë të rezultatit zgjedho
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot në takim Ndihmës Sekretaren Amerikane të Shtetit për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, Victoria Nuland. Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe rajon, për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe për thellimin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së SHBA-ve.

Zyra e Kryeministrit në detyrë ka lëshuar një deklaratë pas takimit të Thaçit me zyrtaren amerikane, Victoria Nuland.
Sipas njoftimit, Thaçi i ka thënë zyrtares amerikane se Qeveria e re e Kosovës do të formohet në bazë të vullnetit të qytetarëve të shprehur në zgjedhjet e 8 qershorit.

Po ashtu, Thaçi e ka siguruar Nuland se bisedimet me Serbinë do të vazhdojnë.

Nuland ritheksoi përkrahjen amerikane për Kosovën
Presidentja e Republikës së Kosovës,. Atifete Jahjaga priti sot në takim ndihmëssekretaren e shtetit të SHBA-ve për Evropë dhe Azi, ambasadoren Victoria Nuland, me të cilën diskutoi për përparimet e Kosovës dhe zhvillimet aktuale në vend dhe rajon.

Presidentja Jahjaga e falënderoi ndihmëssekretaren Nuland për përkrahjen e jashtëzakonshme të SHBA-së për të çimentuar paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon dhe ka inkurajuar përkrahjen e vazhdueshme të SHBA-ve për rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në Bashkim Evropian dhe NATO.

Presidentja Jahjaga tha se me angazhimin në dialogun intensiv me Republikën e Serbisë, Republika e Kosovës do që të krijojë normalizim dhe të forcojë sovranitetin e saj. Presidentja theksoi se progresi i arritur deri tani është i rëndësishëm por që zbatimi i marrëveshjeve të arritura me ndihmën e BE-së janë faktor kyç, përshirë edhe largimin e barrikadave që janë pengesë serioze në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore ndërmjet dy vendeve.

Sipas "RTK", Presidentja Jahjaga ka siguruar ndihmëssekretaren Nuland se dialogu me Serbinë do të vazhdojë të jetë prioritet dhe ka theksuar nevojën e kushtëzimit të rrugës së Kosovës dhe Serbisë drejt BE-së me përparimin e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

Presidentja Jahjaga gjithashtu ka adresuar sfidën e sigurisë që paraqet radikalizmi për Kosovën dhe rajonin, por tha se Kosova i është përgjigjur me konstruktivitet duke ndërmarrë hapa të fuqishëm ligjor dhe të sigurisë për të mposhtur këtë kërcënim dhe se shumica e qytetarëve të Kosovës janë kundër këtij fenomeni negativ. Kosova nuk do të jetë vend i sigurt ose rrugë tranzitore për këto elemente dhe do të punojmë në partneritet të ngushtë me aleatët tonë për të adresuar këto kërcënime.Sa i përket formimit të Qeverisë së re, Presidentja Jahjaga ka vlerësuar lartë përfundimin e suksesshëm të procesit zgjedhor në Kosovë dhe tha se ajo është e përkushtuar të veprojë si faktor uniteti për të siguruar funksionimin demokratik të institucioneve në një proces kredibil, transparent dhe gjithëpërfshirës duke theksuar që institucionet e reja duhet të shtyjnë përpara Kosovën dhe agjendën drejt BE-së.

Ndihmëssekretarja Nuland ritheksoi përkrahjen e fuqishme të Qeverise Amerikane për Kosovën dhe përpjekjet e saj drejt integrimit më të gjerë  Euro-Atlantik. Ajo theksoi rëndësinë e dialogut Kosovë-Serbi dhe progresin e implementimit të marrëveshjes për normalizim të arritur në Bruksel më 19 Prill 2013. Ajo mirëpriti vlerësimet e Presidentes në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm dhe korrupsionit dhe u pajtua në nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm.

Mustafa pas takimit me Nuland: Nuk diskutuam për koalicionin
Proceset nëpër të cilën është duke kaluar Kosova, procesi zgjedhor, e alternativa e re qeverisëse në Kosovë, ishin temë diskutimi në mes të ndihmëssekretarës së në Departamentin e Shtetit për çështje të Evropës dhe Euroazisë, Victoria Nuland me liderët Isa Mustafa dhe Ramush Haradinaj.Gjithashtu, pjesë e këtij takimi, ishte edhe konfirmimi i obligimeve që ka marr vendi dhe i vazhdimit të përgjegjësive që ka Kosova për dialogun me Serbinë.

Në këtë takim u këmbyen edhe mendim të delegacionit nga SHBA dhe liderëve, lidhur me strategjitë dhe perspektivat e zhvillimit të Kosovës dhe bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të proceseve në të cilat Kosova duhet të kalohen për integrime Evropianë.

Kështu kanë deklaruar pas takimit me ndihmëssekretarën Nuland, i pari i LDK-së Isa Mustafa dhe ai i AAK-s, Ramush Haradinaj. Ndërsa në këtë takim, nuk ishin prezent edhe 2 liderët tjerë të partive opozitare të cilët janë në proces të marrëveshjes për bashkëpunim qeveritarë, ai i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj dhe i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

I pari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se gjatë takimit janë zotuar se do të punojnë në të mirë të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës.

Nuland zhvillon takimet në Kosovë
Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Victoria Nuland, është takuar me Presidenten Atifete Jahjaga dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe Hashim Thaçin. 

Diplomatja Nuland, gjatë qëndrimit në Prishtinë ka diskutuar rreth dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe në progresin e zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit mbi normalizimin e marrëdhënieve midis dy shteteve.

Gjithashtu, ajo ka diskutua me liderët kosovarë edhe për situatën aktuale pas zgjedhjeve të 8 qershorit që u vlerësuan të si zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe perspektiva e formimit të institucioneve të reja demokratike.

Victoria Nuland, sot në Prishtinë e ​Beograd bisedon për marrëveshjet
Pas takimeve të zhvilluara ditën e djeshme në Tiranë, Ndihmës sekretarja amerikane e Shtetit Victoria Nuland, vizitoi sot Prishtinën dhe Beogradin. Në qendër të bisedimeve në këto dy shtete është jetë dialogu Kosovë-Serbi dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura mes palëve.

Ndërsa të hënën parashikohet që zyrtarja e lartë amerikane të jetë në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë, vend i cili është tronditur ditët e fundit nga protestat e shqiptarëve.
 
Vizita  e Nuland është pjesë e nje turi diplomatik të saj në vendet e Ballkanit perëndimor, ajo pati takime me përfaqësuesit më të lartë të shtetit dhe politikës së Shqipërisë.
Në njoftimet zyrtare për bisedimet e zhvilluara nuk është dhënë informacion mbi qëndrimet e diplomates së lartë amerikane, por vetëm ato të bashkëbiseduesve të saj shqiptarë, përjashto vlerësimin për rolin e Tiranës në rajon dhe urimet e saj për marrjen nga ana e Shqipërisë të Statusit të vendit kandidat.

Redaksia Online
(e.s/a.h/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital

Gjirokastër/ Makina përplas këmbësorin teksa kalonte rrugën, 62- vjeçari dërgohet në spital