TIRANË – Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, për një rastësi të bukur dhe interesante, është takuar pikërisht sot, “në nivele vëllazërore” siç u shpreh ai, me kreun e LSI-së, Ilir Metën në Tiranë, në ditën e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Këtë detaj e bëri publik vetë Meta në përfundim të takimit që pati me kreun e qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçin në selinë e LSI-në.
 
Pas takimit, Thaçi ka folur para medias me superlativa për kryetarin e LSI-së, Ilir Metën, nisur nga marrëdhënia e ngushtë dhe bashkëpunimi mbi 20-vjeçar që ka pasur me të, që në vitet kur Kosova luftonte për lirinë e saj e deri më sot, kur Meta pritet të mandatohet si Kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë.

"Eshtë një kënaqësi e veçantë të takohem sot me mikun tim, kryetarin e LSI-së, z. Meta,"- tha kreu i Qeverisë së Kosovës. - "Tani po mbushen gati 20 vite të bashkëpunimit tonë në kuadër të përgjegjësive që kemi pasur edhe më herët. Prandaj sa herë që takohem me z. Meta, takohem me mikun tim, takohem në nivele edhe vëllazërore, mund të them edhe në nivel të miqve apo bashkëluftëtarëve të betejave për çlirimin e Kosovës. Kjo, sepse z. Meta ka pasur përgjegjësi institucionale në kohën e luftës dhe i jam shumë mirënjohës për kontributin e tij edhe personal, për angazhimin e tij edhe personal, të pakursyer dhe të jashtëzakonshëm edhe në vitet 98-99, edhe para tyre, në mbështetje të përpjekjeve për liri dhe pavarësi të Kosovës.
 
Do e theksoj edhe sot roli i z. Meta për lirinë e Kosovës është historik, është i çmueshëm dhe respektohet edhe prej institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. U shpreh mirënjohjen z. Meta.
 
Nga ana tjetër sot jam këtu edhe për të uruar z. Meta për suksesin historik në zgjedhjet e 23 qershorit që shënoi forca politike.

Si Kryeministri i Republikës së Kosovës, e uroj z. Meta për sukseset e arritura; i uroj në të njëjtën kohë, marrjen e përgjegjësive të reja, për aq sa jemi të informuar, si Kryetari i ardhshëm i Parlamentit të Shqipërisë.

I nderuari z. Meta, iu uroj juve, iu uroj të gjithë zyrtarët e LSI-së, i uroj të gjithë anëtarët dhe simpatizantët e LSI-së për besimin që kanë ndërtuar ndaj jush personalisht, me vizionin dhe qëllimin tuaj për Shqipërinë evropiane. Shqipëria evropiane është mesazh edhe për Kosovën që do të afrohet më shpejt drejt perspektivës në NATO dhe Bashkimin Evropian. Prandaj do të bashkëpunojmë edhe si qeveri edhe si parlament, por edhe si partnerë,"- theksoi Thaçi.
 
META: Ç'RASTESI! KRYEMINISTRI I KOSOVES NE DITEN E THEMELIMIT TE LSI

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, nga ana e tij deklaroi: "Besojmë shumë në energjitë pozitive të shqiptarëve në të dy vendet dhe në të gjithë rajonin tonë dhe besojmë se me këto vizione evropiane dhe me këto përgjegjësi të fituara edhe falë përvojave të deritanishme do të arrijmë të ecim më shpejt drejt përmbushjes së aspiratave të të gjithë Shqiptarëve drejt një stadi të ri të marrëdhënies së Shqipërisë me Bashkimin Evropian, drejt një stadi të ri të marrëdhënieve të Kosovës me Bashkimin Evropian."

Po ashtu, lidhur me ardhjen e Kryeministrit të Kosovës sot, Meta vuri në dukje edhe një fakt: “Besoj që është një rastësi që z. Thaçi ka zgjedhur datën 6 shtator, por kjo është edhe dita e themelimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim."
 
E duke përfunduar, shtoi: "Dua t’i uroj shumë suksese Kryeministrit Thaçi në përpjekjet e tij për të rritur impaktin e Kosovës si faktor stabiliteti në të gjithë rajonin sidomos përmes dialogut mjaft të guximshëm dhe të vështirë edhe me Serbinë, duke zbatuar porositë e Presidentit Klinton, që ata që bënë luftën duhet të bëjnë edhe paqen."

thaci meta
(Takimi i sotshëm në selinë e LSI-së)

Redaksia online
(Shqiptarja.com)