PRISHTINË, 19 Shkurt /ATSH/.- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, bëri të ditur sot se Kosova është renditur në vendin e 32-të në Global Open Data Index që rendit 184 vende për aksesin publik në të dhëna.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi thekson se "sot e nisa mbarë ditën duke mësuar se Kosova ka arritur vendin e 32-të në Global Open Data Index që rendit 184 vende për aksesin publik në të dhëna. Unë e kam konsideruar gjithnjë prioritet qeverisjen elektronike, pra përdorimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikacionit në qeverisje dhe administratë publike. Ky përdorim ka pasur për qëllim sigurimin e shërbimeve më cilësore e të shpejta për publikun, kursimin e fondeve publike, procese më efikase dhe të shpejta të administratës dhe qeverisjes dhe ajo që është më e rëndësishme, një nivel më të lartë transparence për publikun".
"Ne kemi luftuar dhe do të vazhdojmë të luftojmë edhe më shumë korrupsionin nëpërmjet qeverisjes elektronike, sepse përdorimi i teknologjisë shmang burokracitë e tepërta dhe rrit nivelin e llogaridhënies para qytetarëve", shprehet Thaçi./k.s/