/ATSH/.- Qytetarët kosovarë meritojnë të lëvizin lirshëm në BE, pasi është e padrejtë që 1.8 milionë kosovarë nuk mund të udhëtojnë për në BE pa viza, theksoi zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për gazetën prestigjoze gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" me rastin e shtatëvjetorit të pavarësisë së Kosovës.
Thaçi theksoi për të përditshmen gjermane se "pavarësia e Kosovës mbylli kapitullin e konflikteve në Ballkan. Tani të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë janë në paqe me njëri-tjetrin, disa prej tyre janë anëtarë të Bashkimit Evropian, ndërsa të tjerët aspirojnë anëtarësimin në BE. Por, tranzicioni nuk ka qenë i lehtë dhe shumë njerëz në Ballkan e shohin të ardhmen e tyre në ekonomitë e konsoliduara të BE-së. Një e katërta e të gjithë kosovarëve tashmë jetojnë legalisht në BE, kështu që ekziston dëshira për bashkim familjar atje".
Sipas tij, fluksi i fundit i emigrantëve mbështetet në në një vërshim tejet të çuditshëm të thashethemeve se Gjermania po u jep azilkërkuesve leje qëndrimi.
"Kjo është absurde, por ka bërë njëherësh që njerëzit të dëshirojnë të emigrojnë në mënyrë të paligjshme", tha Thaçi.
Zv/kryeministri Thaçi u shpreh se "Kosova u shpall e pavarur vetëm para 7 vitesh, ndërsa 15 vite më parë ne patëm një luftë gjenocidale kur gjysma e popullsisë sonë po ikte nga forcat e egra të Millosheviçit. Para kësaj, patëm një gjysmë shekulli të diktaturës komuniste, e cila ishte veçanërisht armiqësore ndaj shqiptarëve. Pra, në krahasim se ku kemi qenë në historinë tonë bashkëkohore, ne kemi arritur disa rezultate të jashtëzakonshme. Megjithatë, është e natyrshme që njerëzit duan më shumë".
Në shtatë vitet e fundit, vijoi ai, që kur u bëmë të pavarur, shumica e vendeve anëtare të OKB-së, 108 prej tyre, e kanë njohur shtetësinë e Kosovës dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka dhënë opinionin e saj sipas të cilit pavarësia jonë nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare.
"Ne jemi anëtarë të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Bankës Botërore dhe Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Gjithashtu, ne kemi shënuar rritjen më të madh mesatare në Evropën Juglindore, në shkallë prej 4%, pavarësisht krizës financiare që dëmtoi ekonominë rajonale. Ne kemi gjithashtu një ndër shkallët më të vogla të borxhit publik në Evropë, nën 10%. Mbi 80% e ekonomive familjare sot kanë internet broadband në shtëpitë e tyre. Është fare e lehtë të përqendrohemi në lajmet e trishtuara, me njerëz që po e lënë Kosovën, por ne duhet po ashtu të kujtojmë se Kosova është një demokraci e re, me një shoqëri vibrante dhe të kthyer nga e ardhmja", nënvizoi Thaçi.
Zv/kryeministri Thaçi tha se "ne jemi shteti i parë në Ballkan që ka zgjedhur një grua president dhe vendi i vetëm në rajon që mbronë të drejtat e komuniteteve LGBT në Kushtetutën tonë. Por, kriza financiare e ka goditur edhe Kosovën dhe papunësia në shkallë prej 30% ka mbetur e lartë".
Thaçi theksoi se "Kosova çdo vit ka pasur një "fluks dimëror" të emigrimit dhe zakonisht bëhet fjalë për shtresën më të margjinalizuar të shoqërisë siç janë banorët e përkatësisë rome, apo njerëz shumë të varfër. Këtë vit kemi një zhvillim tjetër. Të joshur nga manipulimet dhe thashethemet për lëvizje të lirë dhe leje të punës në Gjermani, ka madje edhe ca njerëz me paga të mira që e kanë lënë vendin. Afro 30% deri në 40% prej emigrantëve janë azilkërkues të vazhdueshëm".
Sa i përket mundësive ekonomike në vend, Thaçi tha se "Kosovës i duhen kultura dhe shprehitë e punës që i vërejmë të gjermanët në vend se qytetarët tanë ta braktisin vendin për në Gjermani. Në vendin tonë ka mundësi të shumta në sektorët si teknologjia informative, ndërmarrjet e vogla dhe bujqësi, por që ka mungesë të fuqisë punëtore me aftësitë e duhura. Prandaj, arsimi është çelësi. Ne kemi ndërtuar 100 shkolla të reja në 7 vitet e fundit dhe i kemi rritur pagat e mësimdhënësve për 50%, por kemi nevojë për të reformuar edhe mësimdhënien. Ne kemi nevojë për fuqi punëtore me aftësi profesionale dhe të rinj që mund të kontribuojnë në shtetndërtimin e Kosovës në një mënyrë që nuk është e mundur në Gjermani".
Serbia nuk mund të mbyllë kufirin e saj me Kosovën, tha Thaçi, duke shtuar se "ajo mund të bëjë një punë më të mire në kontrollimin e kufirit me Hungarinë ku njerëzit kalojnë fare lirshëm. Ka edhe video në YouTube me kosovarë duke u dërguar nga policët e korruptuar serbë në pyje ku është e lehtë për të kaluar kufirin. Gjithashtu, kosovarët po udhëtojnë në Serbi me letërnjoftim, por Serbia nuk po i lejon ata të kthehen me pasaporta të Kosovës. Pra, ne kemi nevojë për një bashkëpunim më të mirë me fqinjin tonë verior".
Thaçi nënvizoi se disa nga projektet më të mëdha të investimeve pritet të përfundojnë brenda këtij viti. "Një kompani amerikane e fitoi tenderin për ndërtimin e një termocentrali të ri prej 1 miliardë euro, ndërsa një konsorcium francez e fitoi garën për të investuar 400 milionë euro në turizmin dimëror. Ka akoma probleme siç janë procedurat e ngadalshme gjyqësore, korrupsioni dhe imazhi i përgjithshëm që pengojnë investimet, por Kosova mbetet e hapur për biznes", tha Thaçi.