PRISHTINË,  1 Korrik /ATSH-B.Jashari/.- "Investimet e huaja direkte në Kosovë kanë shënuar rritje vitin e kaluar për 13%, sipas të dhënave zyrtare të BQK", thekson sot kryeministri kosovar Hashim Thaçi, në pritje për mandatin e tretë.
"Me përfundimin këtë vit të proceseve tenderuese për qendren e skijimit Brezovica si dhe TC Kosova e Re, Misioni i Ri do të arrijë të katërfishojë investimet e huaja 12 muajt e ardhshëm, ndërsa do të dhjetëfishohen deri më 2016", shkruan ai në Facebook.
Kjo, sipas Thaçit, "do të përkthehet në rritje të mëtutjeshme të ekonomisë dhe hapjen e dhjeta mijëra vendeve të reja të punës".
Thaçi me koalicionin parazgjedhor të partisë së tij me katër parti tjera të vogla ka fituar zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 8 qershorit, duke arritur numrin 37 deputetë  në Kuvendin 120 anëtarësh. Por, koalicioni paszgjedhor që synon ta bëjë vetë qeverinë LDK-AAK-NISMA dhe Lëvizja Vetëvendosje, në deklaratën "e dalë nga takimi i liderëve, i mbajtur me 30 qershor 2014" shprehet se nuk do t'u përgjigjen ftesës së PDK-së e as mandatarit të saj në çfarëdo konsultimi për krijimin e qeverisë së re./a.g/