/ATSH/. - Zëvendëkryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, theksoi sot se Pavarësia e Kosovës u arrit falë përkushtimit të qytetarëve, shumë nga të cilët sakrifikuan veten dhe familjet e tyre.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi duke përkujtuar shtatë vjetorin e Pavarësisë së Kosovës shprehet se "shtatë vite më parë mbyllëm kapitullin shekullor të aspiratës për liri, kapitullin e luftës e dhimbjes, ëndrrës e angazhimit, sakrificës e fitores dhe nisëm kapitullin e ri të lirisë e barazisë, drejtësisë dhe zhvillimit, punës dhe përkushtimit për një shoqëri të re ku të gjithë do të jetojnë në dinjitet e prosperitet. Kjo u arrit falë përkushtimit të të gjithë qytetarëve të Kosovës, shumë nga të cilët sakrifikuan veten dhe familjet e tyre, që ne dhe familjet tona të jetojmë të lirë. Sot ne festojmë këtë fitore, plot dhembje dhe krenari, përulje dhe guxim, duke përshëndetur me një gëzuar dhe lavdi"./k.s/