/ATSH/.- "Turqia për ne është një ndër partnerët kryesore ekonomikë dhe të dy do të bëjmë përpjekje që t'i rrisim shkëmbimet tregtare dhe të shtohen investitorët në Kosovë", theksoi sot zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë takimit në Turqi me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlyt Çavushollu.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi thekson se " i shpreha mirënjohjen e thellë ministrit Çavushollu për ndihmën e madhe që Turqia i jep Kosovës në konsolidimin e brendshëm, si dhe në arenën ndërkombëtare. Të dy ramë dakord që marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të shkëlqyera e që ne duhet të vazhdojmë t'i kultivojmë ato në të gjitha sferat".
Thaçi tha se "prej mikut dhe homologut tim mora zotimin se Turqia do të përpiqet në mënyrë intensive në njohje të reja si dhe në anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës si dhe në Partneritetin për Paqe të NATO-s".
"Gjatë takimit me ministrin Çavushollu u ndalëm në mënyrë të veçantë tek bashkëpunimi ynë në fushën e rendit dhe sigurisë. Folëm për shtimin e ndërveprimit tonë në kuadër të luftës kundër terrorizmit dhe pengimit të luftëtarëve të huaj si dhe për ndihmën bujare që Turqia jep për forcat tona të sigurisë. Në emër të qeverisë turke Çavushollu më tregoi se ndihma konkrete në arsimim dhe bazë materiale materiale për ushtrinë tonë të ardhshme ka për t'u shtuar si dhe konfirmoi mbështetjen e pakursyer për procesin e integrimit atlantik të vendit tonë", shprehet Thaçi.
Ministri Thaçi bën të ditur së vizitën zyrtare e nisi duke bërë homazhe në mauzoleumin e themeluesit të Turqisë moderne, njërit prej liderëve më të mëdhenj të historisë, Mustafa Qemal Ataturkut. "Në librin e shënimeve shkrova që ai është një model i përkryer se si një ushtarak i suksesshëm mund të shndërrohet në një burrështetas të jashtëzakonshëm. Ai e ka befasuar mbarë botën se si brenda një kohe të shkurtër ai e shndërroi Turqinë në një shtet modern, të emancipuar dhe të zhvilluar", thekson Thaçi.
Ministri i Jashtëm turk Çavushollu duke vlerësuar praninë e investitorëve turq në Kosovë theksoi se "qeveria turke do të inkurajojë të tjerë sipërmarrës turq që të vijnë të investojnë në Kosovë e të hapin biznese e vende të reja pune".Ai e falënderoi qeverinë kosovare për kushtet e mira dhe të përshtatshme që ka siguruar për investitorët turq në Kosovë dhe vuri në dukje se volumi i madh i shkëmbimit ekonomik mes dy vendeve tona është dëshmi i kësaj klime të favorshme për sipërmarrësit.
Ministri Çavushollu vlerësoi arritjet e Kosovës në fushën e të drejtave të minoriteteve duke u ndalur në veçanti tek pakica turke në Kosove, e cila sipas tij gëzon respekt të plotë dhe jeton në harmoni me shumicën./k.s/