Thanas Medi: Për personazhet që 
ngjajnë si të dalë nga historitë reale

Thanas Medi: Për personazhet që <br />ngjajnë si të dalë nga historitë reale
Bisedë me shkrimtarin e vlerësuar me “Çmimin e Madh të Letrave Shqipe” për vitin 2013... e vërteta e personazhit të romanit “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, i cili i ka ngatërruar disa lexues, duke aluduar për ndonjë hero real...
 
Vlerësimi me “Çmimin e Madh të Letrave Shqipe” për vitin 2013, i takoi shkrimtarit të diasporës shqiptare, z. Thanas Medi. Realisht, është një sukses në krijimtarinë e tij, por edhe një nder për komunitetin shqiptar në Greqi, pjesë e të cilit është dhe shkrimtari Medi. Dihen privacionet e një jete në mërgim, ku “truri i kombit” është i detyruar t’i përkushtohet mbijetesës. Në punët më të rënda të shtetit fqinj ka dhe nga ata mërgimtarë që nuk rreshtin së medituari e krijuari për lartësimin e kulturës dhe të ndërgjegjes tonë. Ky është i sapovlerësuari Thanas Medi, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Greqi “Liter-art”. Ky përkushtim dhe arritje e suksesshme, thyen njëherazi dhe mendimin e ngushtë, i cili jo pak herë e quan të papërfillshme atë çka krijohet jashtë kufijve të shtetit shqiptar, në emigracion. Ca më tepër, kur ata janë emra gati krejtësisht të panjohur dhe përbëjnë një “çudi” që nuk mund të besohet menjëherë. Ne iu drejtuam shkrimtarit Medi pikërisht për këtë eventualitet të rëndësishëm, si edhe për t’ia bërë të njohur lexuesit veprën e tij, vlerësuar me Çmimin e Republikës, si romani më i mirë për vitin 2013.
 
Ju përgëzoj, Thanas Medi! Emri juaj, i dashuri miku im, është pothuajse i panjohur në letrat shqipe dhe kjo ka krijuar jo pak habi në rrethet letrare, por edhe nder lexuesit tanë. Ca më tepër, që punoni, jetoni e krijoni këtu në Athinë dhe keni shkruar vetëm dy romane, duke tërhequr vëmendjen me romanin e dytë, ‘’Fjala e fundit e Sokrat Bubës”. E prisnit një vlerësim të tillë?
Bashkë me falënderimin ndaj përgëzimit tuaj, më duhet të them se nuk e prisja një vlerësim të tillë. Ishte jashtë çdo mundësie, për disa arsye. Së pari, ne të mërguarit atdheu mëmë sikur na ka braktisur në mëshirën e fatit. Së dyti, kjo garë e bukur e me traditë, vitet e fundit është komprometuar, me dhënie çmimesh të pamerituara. Është krijuar ideja se qarkullon mes një elite shkrimtarësh të njohur, pa u lodhur në qëmtimin e vlerave të vërteta letrare. Çmimi që m’u dha mua, koinçidoi dhe me ndryshimet politike, ardhjen e një ministre të re Kulture, si znj. Mirela Kumbaro, që e vuri garën e konkurrimit mbi shinat e meritës. Unë nuk njoh njeri në Tiranë dhe s’kam asnjë mik të ngritur atje, ndaj them se me siguri e kam merituar.
 
I përkisni si origjinë një komuniteti që vite më parë lëvizte pareshtur, sikundër janë vllahët, që shumëkush i quan nomadë. Romani juaj u përkushtohet atyre, apo ka një rrezatim më të gjerë?

 Vllahët në Shqipëri ndahen; i ndajmë ne vetë d.m.th., në “vllahë vendi” dhe “vllahë mali”, si për t’i qëndruar besnik një ndryshimi esencial midis tyre, që ka të bëjë më së pari me bjerrjen, venitjen e palcës etnike. Te të parët, “të vendit”, kjo palcë ka degjeneruar deri në zhdukje, duke u shqiptarizuar pothuajse  plotësisht; kurse ata “të malit”, të cilëve u përkas dhe vetë, e ruajnë ende atë që i veçojnë nga të tjerët: Gjuhën, doket, zakonet, traditat, këngët. Sidoqoftë, “Fjala e fundit...” është një roman për vllahët, shtrirë në të gjitha trevat e Ballkanit, mbetur a ngjizur në këto anë shekuj më parë, që nga koha e Perandorisë Romake. Romani hedh dritë mbi një komb vital,  shumë pak të njohur, që ka kontribuar shumë për të tjerët pa u shpërblyer me të njëjtën monedhë prej tyre. Sillet diçka nga historia e mjegullt e tyre, nga kocka etnike që e dallon mes të tjerëve dhe bashkëjetesa me të tjerët. Njëherazi, është si një përshpirtje për diçka në zhdukje, thirrje që u bëhet të tjerëve që e ndihmojnë të mos zhduket. Dhe me këtë sensibilizim, romani nuk mbetet vetëm te vllahët, fiton një rrezatim më të gjerë.    
 
Në këtë befasi janë ndodhur dhe ata që ju kanë bërë publicitetin e parë në Shqipëri, pas marrjes së çmimit, duke ju quajtur “shkrimtari i vllahëve”, që doemos nuk tingëllon mirë dhe mbart edhe njëfarë ironie. Kjo edhe si inkopetencë e atyre që bëjnë intervista, në median e shkruar e të folur, pa patur bagazhin e duhur në fushën e letërsisë e të arteve. Si e shihni këtë anomali që nuk është fort e rrallë?
E kam për nder të më quajnë “shkrimtar të vllahëve”, një popullate të fisme e të bukur, shtrirë në mbarë Ballkanin; nga ana tjetër nuk mohohen dhe ato që përmendët ju, z. Miho. E thatë të zbutur, “ironi”, por më duhet të them se është racizëm i pastër. Ose një “fllad” racizmi mes padijes dhe injorancës. Nuk quhesh shkrimtar i një kombi nëse shkruan për të vetëm në qoftë se e ke lartësuar deri atje sa dikujt mund t’i vritet veshi.
 
Titulli i romanit, “Fjala e fundit e Sokrat Bubës”, i ka ngatërruar disa, duke aluduar për ndonjë hero real, kur dihet se ai është një personazh letrar. Megjithatë, mund të shtrohet pyetja: Cili është Sokrat Buba? Ku jeni mbështetur për të krijuar këtë figurë mjaft simpatike e të arrirë e çfarë simbolizon ai në roman?    
Në qoftë se flitet për letërsi e personazh, ai nuk është më një njeri i caktuar. Njeriu i caktuar, i jetës mund t’i japë shumë personazhit, por kurrë nuk barazohet me të. Po të barazohej, nuk do kishim krijim, do kishim fotokopjim të asaj që e marrim nga jeta. Nuk do kishim atë që e quajmë përgjithësim, njësimin brenda një figure të cilësive të një grushti njerëzish realë. Këtë fat, përderisa është personazh letrar, ka dhe Sokrat Buba. Ai është gatuar me brumin e vllahëve, pa përjashtuar dhe vetë autorin, megjithëse këtu lind një pyetje tjetër. Për të simbolizuar diçka konkrete, perëndimin e traditës në jetën e vllahëve, kjo në një moment kohe të caktuar: Ikjen e diçkaje të bukur, me gjithë dukjen e jashtme paksa jashtë kohe e të prapambetur.                                       

Ju keni në roman dhe një personazh tjetër, po kaq interesant, ndoshta më i realizuari e që qëndron jashtë çdo skeme: Katerinën. Ajo përcjell joshje, erotizëm, krenari, por ka dëshirë të shkojë dhe kundër “rrymës”. Ç’do bëhej po t’i servirnit asaj një fund të lumtur, siç bëhet përgjithësisht në veprat “limonadë”?   
Unë mendoj se atje ku ka lumturi, është vënë gjithçka në vijë, nuk ka ç’bën më dhe letërsia. Mbaron letërsia si mision dhe fillon ajo si limonadë. Me letërsi të vërtetë, shkrimtari thotë diçka, përçon një mesazh, ide, dhe në këtë vorbull mbajnë një peshë të caktuar dhe personazhet. Konkretisht, edhe Katerina, meqë jemi tek ajo. Në qoftë se Sokrati përfaqëson apo është tradita, Katerina është e reja që po troket edhe në kasollet me kashtë të vllahëve. Nga ana tjetër, është dhe femra, një Zhuljetë që kuturis të kapërcejë caqet. E nxitur nga kureshtja, flirti, natyra lojcake në përgjithësi e femrës. Për Katerinën nuk ka skema, duke mbetur e bukur në trup e shpirt, siç është. Ashtu dhe nuk mund t’i imponohet fundi i lumtur. Në një rast të tillë, të fundit të lumtur, nuk do stononte vetëm Katerina, do stononte e bëhej limonadë i gjithë romani.                                           
Romanin tuaj pata fatin ta lexoj tre muaj para se të merrte “Çmimin e Madh” dhe shkrova për të një kritikë entuziaste. Më tërhoqi qysh në rreshtat e para dhe pastaj më përfshiu në një jetë të gjallë, tejet interesante, me ngjarje e personazhe të vërtetë, me linja paralele që ngërthehen e përplasen, me një stil e kompozicion shprehës dhe me një gjuhë letrare të pastër. Është një roman tërësisht realist, pleksur edhe me imazhe surreale, të lindura nga jeta e këtyre njerëzve të lirë, endur më së shumti pllajave dhe maleve. Me këtë njohje të thellë të vllahëve, të krijohet bindja se jeni pjesëtar i këtij komuniteti, si edhe një vëzhgues i thellë i tij, me atributet e një shkrimtari që ka depërtuar në jetën e këtyre njerëzve. Si ia keni arritur?  
                               
Unë kam jetuar mes këtyre njerëzve. Këtu “fle” dhe depërtimi. Ky, depërtimi, i takon shkrimtarit brenda meje. Shkrimtari, nga ana tjetër, jo vetëm ka jetuar, por dhe ka vjelë jetën e njerëzve të cilëve u përkiste. Ndodh kjo në mënyrë të pavetëdijshme derisa një ditë i vjen radha vetëdijes së krijimit. Kurse cilësia e krijimit varet pastaj nga faktorë të tjerë, talenti, puna, vullneti.                
 
Është interesante dhe diçka tjetër në stilin tuaj: humori. Është në natyrën tuaj humori, duke patur parasysh seriozitetin e natyrës suaj,  apo bëhet “natyrë e të shkruarit”?
Shumë mirë e thatë, bëhet apo është natyrë e të shkruarit. Është esencë e stilit, diçka që del vetvetiu, e mbart shkrimtari tek unë e jo vetë unë. Vetëm për natyrë humori që nuk dallohem. 
 
Romani juaj mbështet në ngjarje të ndodhura e në personazhe të njohur, apo i përket i tëri një trillimi letrar e fantazisë suaj si shkrimtar?
Mbështet në ngjarje të ndodhura e individë të njohur. Bashkëjetojnë, si në çdo roman artistik besoj, e ndodhura me të pandodhurën, e vërteta dhe jo e vërteta, jeta dhe fantazia. Me kufij elastikë midis tyre, drejt shkrirjes në një të vetme. Me vetëm “atë që ka ndodhur” s’do kishim roman, do kishim ditar. Dhe me vetëm fantazi, do kishim një roman të thatë, diçka pa nerv, pa ngjyra e pa jetë. Shkrimtari ngre një botë brenda botës që ka hasur në jetë, për ta ndriçuar atë nga një kënd i veçantë.                                            

Në roman flitet dhe për Voskopojën e lashtë e të ndritur, duke shprehur mendimin se atë e krijuan vllahët. Sa e vërtetë është kjo?
Voskopoja figuron qendër e banuar që nga viti 1330. Kulmin e lulëzimit si një nga qytetet më të zhvilluara të Ballkanit e pati në vitin 1764, me popullsi rreth 30 mijë banorë. Me 24 kisha, akademi, bibliotekë, shtypshkronjë; kur Athina pati një të tillë pas 100 vjetësh. Qendër e madhe tregtare, kryesisht me punime e produkte leshi, nyjë lidhëse midis Evropës Qendrore dhe Stambollit. U përvijuan të gjitha zejet e u kultivuan të gjitha dijet, themeluar së pari nga vllahët e Pindit. Bashkë me simotrën e vet në Meçovo të Greqisë, banuar sot e kësaj dite po nga vllahët e Pindit. Por, me një fat tjetër, tragjik. U dogj tre herë, derisa u shkatërrua përfundimisht, për të mbetur një fshat fare i vogël. Djegia apo shkatërrimi i parë më 1769; i dyti  më 1789 dhe i treti më 1916. Voskopoja është quajtur “Parisi i vllahëve”. Studiuesit e huaj, në përgjithësi këta, mbajnë për themeluesit e vërtetë, ndryshe nga të vendit, Shqipërisë, që akoma nuk e thonë dot ose kërkojnë ta fshehin. Në roman, prejardhja vllahe e Voskopojës është shprehur me mjete artistike, përderisa kemi të bëjmë me letërsi dhe jo me hulumtime historike.                                     
 
Në fund të fundit, cilët janë vllahët? A ka shkenca jonë albanologjike ndonjë studim të saktë për prejardhjen e tyre?                   
Shkenca jonë nuk ka ndonjë eksperiencë të veçantë dhe ajo është mjaftuar me atë ç’kanë pohuar të huajt. Fjala vjen, shkencëtari francez Zhan-Klod Faveral shkruan: “Vllahë quheshin ata që lëvronin latinishten ballkanike, që ishte dialekt popullor dhe kjo e folur përdorej nëpër familje. Kjo gjuhë vllahishte ruhet e tillë deri më sot, duke patur huazime sipas shteteve ku jetonin vllahët”. Sipas autorëve grekë e romakë, konsulli Paul Emili, pasi i mundi Maqedoninë dhe Epirin, krijuan provincën romake të Maqedonisë. Rreth viteve 168-146 para erës së re, u sollën në Ballkan 150 mijë banorë nga Italia Veriore, zona e Toskanës, dhe u vendosën si ruajtës përgjatë Rrugës Egnatia, që niste në Durrës e shtrihej deri në Selanik në shërbim të Perandorisë Romake të kohës e ushtrisë së saj. Për të mbijetuar, veç rojës, këta banorë filluan të merren dhe me blegtori. Kur erdhën fiset gjermanike në shek. V, dëbuan nga territoret e Ballkanit gjithë nëpunësit romakë dhe ata që e quanin veten romakë, kurse vllahët i lanë sepse ata gjatë gjashtë shekujve, ishin kthyer në një popullsi dygjuhëshe, sipas vendeve ku jetonin. Dhe nuk e mbanin më veten për romakë. Ishin bërë vendas, por që ruanin gjuhën dhe zakonet e tyre. Mbas shembjes së Perandorisë Romake, ata u kthyen në një popullsi më tepër blegtorale, që shtegtonin gjatë verës nga qendra fushore në pikat malore. Dhe, duke u shkrirë gradualisht, asimiluar nga vendasit më të shumtë në numër. Asimilim që vazhdon dhe sot e kësaj dite.   

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore

Behgjet Pacolli: Kam dy vajza nga lidhje jashtëmartesore