“The Face”: Si u bë Shqipëria pika kryesore e turizmit në verën e 2023?

“The Face”: Si u bë Shqipëria pika kryesore e turizmit në verën e 2023?

Pavarësisht sulmeve ksenofobike të konservatorëve të Britanisë së Madhe ndaj emigrantëve shqiptarë, Shqipëria është kthyer në një vend shpëtimi për të rinjtë britanikë, duke ofruar festivale si, “Kala” dhe ION, akomodime të lira dhe plazhe të mrekullueshme, shkruan “The Face”.

Sa më shumë t’i referohesh një destinacioni si një vend krejtësisht i ndryshëm, aq më shumë do të bëhet një pikë e nxehtë turistike . Rasti në fjalë? Së fundmi Shqipërisë i është referuar si, Kroacia e Re, Maldivet e Evropës, Karaibet e Evropës, Greqia e ardhshme, e cila po gëzon një rritje të madhe të numrit të turistëve.

Edhe nëse nuk keni qenë kohët e fundit në Shqipëri, me siguri i keni parë pamjet në internet. Për ne që navigojmë, “Toka e Shqiponjave” është shpërndarë kudo në rrjete kohët e fundit. Të gjithë, me sa duket, kanë bërë banjo dielli në plazhet e saj me rërë, janë zhytur në ujërat e paeksploruara dhe kanë kërcyer në festivalet e saj.

Nga viti 2010 deri në vitin 2019, numri i turistëve që shkojnë në Shqipëri çdo vit u trefishua në 3,3 milionë, ku 120 000 prej vizitorëve ndërkombëtarë ishin nga Britania e Madhe. Megjithatë, së shpejti parashikohet që vendi të vizitohet nga miliona turistë britanikë.

Nuk ka qenë gjithmonë kështu. Për dekada me rradhë, Shqipëria i ndaloi hyrjet. Vendi më i izoluar në Evropën Lindore, kombi ballkanik nuk i hapi dyert deri në fund të viteve ’80, duke ekzistuar si një shtet komunist i mbyllur për pjesën tjetër të botës.

Kur lideri i saj stalinist Enver Hoxha vdiq në vitin 1985, turistët filluan të vërshonin drejt vendit, por jo me një ritëm të shpejtë, deri në vitin 1989 ku vetëm 10 000 njerëz në të gjithë globin shkonin në Shqipëri çdo vit.

Mbërritjet filluan të rriteshin në fund të viteve ’90, kur industria evropiane e turizmit filloi të zbulonte potencialin e Shqipërisë për të konkurruar në Mesdhe.

Megjithëse vendi ende përballej me ndërprerje të energjisë elektrike, probleme me ujin e papijshëm dhe ujërat e zeza, në vitin 2003 Ministria e Turizmit vendosi të shkatërronte ndërtesat për të zbukuruar plazhet dhe për të riemërtuar kombin. Shtatë vjet më vonë, Shqipëria ishte vendi më i mirë për t’u vizituar sipas “Lonely Planet”.

Në vitin 2017, ishte vetëm një linjë udhëtimi me “British Airways” nga aeroporti “Gatwick” i Londrës në Tiranë. Tani, ka mbi dhjetë linja, më e lira është “WizzAir”, që ju çon për tre orë për vetëm 27 £.

“Ka patur një rritje të konsiderueshme në numrin e pasagjerëve që zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e pushimeve”, tha për “The Face”, Zsuzsa Trubek, menaxhere e Komunikimit të Korporatës “Wizz Air”.

“Numri i pasagjerëve është rritur 27% në gjysmën e parë të vitit në 2023, krahasuar me të njëjtën periudhë në 2022. Për të përmbushur kërkesën, është rritur kapaciteti për të kryer 19 fluturime në javë”, tha ajo.

Shqipëria është ende një destinacion relativisht alternativ. Aktualisht, kryhen më pak se 20 fluturime në javë, dhe numri i britanikëve që shkojnë në Greqi çdo vit është pothuajse 40 herë më i lartë. Por, pritet që numri i turistëve drejt Shqipërisë të vazhdojë të rritet, një besim i çeliktë që ka çuar në investime nga e gjithë bota dhe ndërtimin e një aeroporti me vlerë 125 milionë dollarë në Vlorë, i cili është në punime e sipër, deri në përfundimin e tij në prill të 2024.

Gjithashtu, duke pasur parasysh se pothuajse askush jashtë Shqipërisë nuk dinte për vendin deri 20 e ca vjet më parë, zhvillimi i tij është marramendës.

“Ndërsa Amsterdami po largon të gjithë britanikët, italianët po lodhen gjithnjë e më shumë dhe Lanzarote po vuan sjelljen tonë të keqe, Shqipëria po na mirëpret krahëhapur, duke premtuar një paketë të plotë, gjithëpërfshirëse, diell, plazhe dhe festa të këndshme. dhe një litër birrë të mirë për 200 lekë (vetëm 1,50 £)”, tha ajo.

Shumë njerëz, tërhiqen kryesisht nga festivalet. “Kala”, një festival i nisur në vitin 2018 nga “Mainstage Festivals” dhe i vendosur në Rivierën Shqiptare, ka fituar shpejt zemrat e vizitorëve.

“Ne nuk mund të marrim meritën e plotë për rritjen më të gjerë të turizmit, mendoj se festivalet tona muzikore kanë ndihmuar që Shqipëria të vendoset në hartë për një numër të madh të rinjsh që nuk kishin dëgjuar më parë për të”, tha Juan J. Lopez, drejtor i Marketingut në “Mainstage”.

“​Ambjenti në Dhërmi është perfekt, sepse shumica e hoteleve nuk janë shumë larg nga skena. Bonusi i madh? Çmimi i një festivali kampingu ku mund të kaloni një javë të plotë në një hotel në Shqipëri, që do të thotë të mos ketë netë pa gjumë në tenda”, tha Lopez.

Antonia dhe Georgie, të dy 28 vjeç, shkuan në “Kala” muajin e kaluar.

​“Dhërmiu ishte vendi ku do të shkonim. Edhe shqiptarët vendas shkonin atje për pushimet e tyre, ishte një vend vërtet emocionues”, tha Georgie. ​

“Ishte një nga festivalet e para ku kemi qenë, të gjithë aty ishin vetëm për muzikë dhe Vibe të mirë, të gjithë kishin energji të mirë dhe ishte bukur të ishe në një hotel dhe jo në një tendë”, shtoi Antonia.

​“Dhe sigurisht që kishte peizazhe, male, plazhe të bukura, kanioni në Gjipe, një ekstazë për syrin tuaj”, tha ajo.

Ky peizazh piktoresk është i përsosur për postimet e bukura si një kartolinë në Instagram. Për ata që nuk shqetësohen për festat, janë pamjet që i nxisin të vizitojnë, veçanërisht pasi ato janë relativisht të përballueshme.

​”Kur bëhet fjalë për udhëtime, ka pak mistere të mbetura në Evropë. Shqipëria është vendi i fundit evropian, që nuk është kthyer në një destinacion të qëndrueshëm për pushime në plazh dhe i rrënuar nga turizmi masiv”, tha Lopez.

“Shqipëria ofron peizazhe mahnitëse mesdhetare, ujëra të mrekullueshëm bruz, plazhe të paprekura, ushqim të shkëlqyeshëm dhe çmime shumë të përballueshme”, shtoi ai.

Bardha Krasniqi, një fotografe me origjinë shqiptare, e cila u shpërngul në Britaninë e Madhe kur ishte ende një femijë, kthehet rregullisht në Shqipëri.

​“Shkova në qershor dhe vura re se kishte më shumë turistë se zakonisht”, tha ajo. ​

“Njerëzit me të vërtetë duan të shohin dhe eksplorojnë diçka ndryshe. Shqipëria është në jug të Evropës, kështu që është si një Greqi tjetër. ​Është diçka e re dhe njerëzit nuk e dinin se ekzistonte. Ka kaq shumë larmi të natyrës, është një çmenduri”, tha Krasniqi.

Ky vizion idilik është përhapur falë rrjeteve sociale. Në fund të fundit, shumica prej nesh tani ndjekin në TikTok Thomas Cook për këshilla udhëtimi, përmes një katalogu gjithnjë e më të përditësuar të destinacioneve më të bukura në botë. Shqipëria u bë virale verën e kaluar, veçanërisht resorti i plazhit Ksamil, shkëlqimi i të cilit nuk po shuhet.

​”Gushti do të jetë i çmendur dhe kjo për shkak të TikTok-ut, vitin e kaluar të gjithë ripostonin vendodhjet e tyre”, tha Krasniqi.

​”Edhe këtë vit miqtë më kanë dërguar mesazhe si: “Nuk e dija që Shqipëria dukej kështu”, sepse jugu është shumë i bukur’, shtoi ajo.

“Kur shkova për herë të parë në jug të Shqipërisë, muajin e kaluar, takova dy vajza britanike dhe i pyeta se si e kishin zbuluar vendin. ​Ato thanë nga TikTok-u, është qartë se TikTok po promovon gjithandej Shqipërinë”, tha ajo.

Ekziston gjithashtu efekti “Dua Lipa”. Krahas figurave të njohura si Rita Ora dhe Bebe Rexha, Dua, e lindur në Shqipëri, është bërë një vajzë që promovon vendin përmes postimeve. Në fund të vitit të kaluar, ajo u bë qytetare nderi dhe madje përmbylli turneun e saj botëror “Future Nostalgia” në Tiranë.

Becky dhe Elena, të dyja 24 vjeç, vizituan Shqipërinë javën e kaluar.

​“Ne nuk bëmë asnjë kërkim dhe përfunduam në një fshat, një orë larg Tiranës. Pamë anën më pak turistike”, tha Becky. ​

“Rreth orës 1 të mëngjesit, gjithçka ishte ndryshe. Përpara nesh u shfaqën vajza me bikini duke kërcyer në ballkone, njerëz që zhyteshin në pishinë dhe gjithçka ishte e ndezur njësoj si “My Super Sweet Sixteen”. Ne përfunduam në ato që vendasit i quajnë ​“vilat e festave” që merren me qira për një natë, të klasifikuara si shumë të zhurmshme nga policia e Tiranës”, shtoi ajo.

Personat e përfshirë në industri janë të prirur të theksojnë rolin e madh që luan turizmi në ekonominë lokale. “Kala”, për shembull, punon me 250 biznese lokale, krijon 200 vende pune çdo vit dhe ka ndihmuar në dyfishimin e sezonit turistik. Dhe organizatorët përpiqen të sigurohen që vendasve të mos u mungojë argëtimi. ​

“Çdo vit ne rezervojmë një pjesë të biletave për banorët e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, të cilët mund t’i blejnë ato me një çmim të reduktuar”, tha Lopez.

Shqiptarët po përballen me probleme të migracionit. Qasja nënçmuese e Partisë Konservatore ndaj migrantëve shqiptarë, e nxitur nga politikat e Suella Braverman, ka nxitur forma të reja të ksenofobisë. Çështja është komplekse, është e vërtetë që mafia shqiptare ka një rol kyç në tregun e drogës në Britaninë e Madhe, por shumë nga ata që mbërrijnë në BM trafikohen dhe detyrohen të punojnë për këto banda, dhe nuk është një zgjedhje e tyre.

Siç ka theksuar më parë David Neale, një ekspert i migracionit shqiptar, Shqipëria nuk është domosdoshmërisht një vend i sigurt. ​

“Një shkak i zakonshëm i arratisjes së shqiptarëve nga vendi i tyre është gjakmarrja”, shkroi Naele në “The Guardian”, duke shpjeguar se shumë prej tyre përballen me kërcënimin e sulmeve hakmarrëse nga familje të tjera, që zgjasin me breza.

Ky kontrast midis turizmit dhe torizmit është i vështirë. Ndërsa shumë prej nesh e kalojnë kohën me pushime në Shqipëri, shumë nga vendasit e saj po kalojnë një kohë të vështirë në shtëpi dhe po përballen me qëndrime ksenofobike, përkatësisht, nga Britania e Madhe.

​“Fatkeqësisht, shumica e njerëzve nuk dinë shumë për Shqipërinë dhe mbështeten thjesht në stereotipe negative”, tha Lopez. ​

“Megjithatë, kjo është në avantazhin tonë, pasi aventurierët kur vijnë në Shqipëri habiten shumë kur zbulojnë se të gjitha këto paragjykime jane larg realitetit”, tha ai.

Becky dhe Elena e përjetuan këtë nga afër.

​”Të gjithë shqiptarët që na priten ishin të këndshëm me turistët”, tha Becky.

Një punishte vere u ofroi ushqim falas, një vendas i ftoi për raki, një tjetër u ofroi atyre një udhëtim me varkë dhe një taksist madje ndaloi për t’u blerë bakllava.

​”Ne e vizituam vendin me shumë paragjykime, pasi familja dhe miqtë tanë ishin të pasigurt, por ishte vërtet argëtuese. Njerëzit ishin vërtet të sjellshëm”, thanë Antonia dhe Georgie.

Një banakier vrapoi për të gjetur vodka për ta, ndërsa një pronar gazetash u dha atyre një kovë akulli pasi mendonte se birrat që shiste nuk ishin mjaftueshëm të ftohta.

Për Krasniqin, pushuesit e verës 2023 do të thyejnë industrinë e turizmit të Shqipërisë.

​”Ky vit do të përcaktojë se si njerëzit e trajtojnë dhe respektojnë atë”, tha ajo, duke shtuar se vendi mund të shndërrohet në një tjetër Ibiza, me shpresën se vizitorët do të ndikohen pozitivisht. Ashtu si çdo vend në zhvillim, ekziston rreziku drejt nje kolapsi te turizmit, që numëron mbrapsht drejt erozionit kulturor. Po kështu, nëse të ardhurat nga turizmi rrjedhin në ekonominë lokale, kjo mund të çojë në një rezultat pozitiv për të gjithë.

Sido që të jetë, është e qartë se “Albmania” do të vazhdojë të përhapet në të gjithë Britaninë e Madhe, pasi infrastruktura shtesë dhe një valë e re ngjarjesh e ëmbëlsojnë marrëveshjen, tashmë joshëse.

Së shpejti, vendit nuk do t’i referohen më si Kroacia e Re, Maldivet e Evropës, Karaibet e Evropës, Greqia e ardhshme, por thjesht Shqipëria./ATA/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Popagande: 11/07/2023 01:47

    Po-paguan-da nuk mbaron, me zorr nuk bëhesh as me të paguar.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve

VIDEO/ Momente tmerri! Dalin pamjet brenda avionit para rrëzimit në Kazakistan të filmuar nga një prej pasagjerëve