Sipas një memorandumi diplomatik të bazuar në vlerësime të inteligjencës izraelite dhe amerikane, të publikuar nga gazeta britanike The Times dhe të raportuar nga media izraelite Ynet, Udhëheqësi Suprem iranian Mojtaba Khamenei ndodhet në gjendje pavetëdijeje dhe po merr trajtim mjekësor në qytetin e Qomit.

Sipas memorandumit, Khamenei është pa ndjenja dhe “në gjendje të rëndë që nuk i lejon të marrë pjesë në asnjë proces vendimmarrës të regjimit”.

Agjencitë e inteligjencës izraelite dhe amerikane kishin qenë prej kohësh në dijeni të vendndodhjes së Khameneit, vijon raportimi.

Ndërkohë, presidenti Donald Trump ka kërcënuar se do ta shkatërrojë Iranin “brenda një nate” nëse vendi nuk rihap Ngushticën e Hormuzit përpara afatit të tij.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka paralajmëruar kundër “kërcënimeve të qëllimshme”, sulmet ndaj infrastrukturës thelbësore për jetën, si furnizimi me ujë dhe energji elektrike, janë të ndaluara sipas Konventave të Gjenevës.

Trump gjithashtu e përshkroi misionin “shumë historik” të shpëtimit të aviatorëve amerikanë të zhdukur nga një avion luftarak i rrëzuar në Iran si “të gjesh gjilpërën në kashtë”.

Ndërkohë, Irani thotë se ka refuzuar zyrtarisht propozimin amerikan për armëpushim, ndërsa kërkon një fund “përfundimtar” të luftës.

Në përpjekjet e ndërmjetësimit deri tani kanë qenë Turqia, Egjipti dhe Pakistani, ku ky i fundit dorëzoi edhe planin e armëpushimit ndërsa planifikohej që bisedimet të mbaheshin në Islamabad.

Ngushtica e Hormuzit është një rrugë ujore kyçe, përmes së cilës kalon një pjesë e madhe e naftës botërore. Që kur Irani e ka bllokuar pas sulmeve SHBA-Izrael, vendet në mbarë botën janë prekur nga kriza e naftës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:47
‘Paralajmërim urgjent’, Forcat e Mbrojtjes së Izraelit u kërkon iranianëve të mos udhëtojnë me tren

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) po paralajmërojnë njerëzit në Iran që sot të mos përdorin trenin.

Në një postim të shpërndarë në llogarinë e saj ushtarake në rrjetet sociale, IDF u thotë njerëzve në Iran se “për shkak të sigurisë suaj” të “përmbahen nga përdorimi dhe udhëtimi me tren” në të gjithë vendin “deri në orën 21:00 sipas orës së Iranit”.

Njoftimi shton se “prania në tren dhe pranë linjave hekurudhore rrezikon jetën tuaj”.

Kjo vjen ndërsa Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kërcënon të godasë objektiva të infrastrukturës civile në mbarë Iranin, nëse regjimi refuzon të lejojë kalim të lirë përmes Ngushticës së Hormuzit deri në mbrëmjen e së martës.

Ushtria izraelite gjithashtu tha se gjatë natës ka kryer një valë sulmesh ajrore që synonin “infrastrukturën në Teheran” të lidhur me regjimin dhe ka vrarë persona që tha se ishin anëtarë të Hezbollahut.

Gjithashtu tha se kishte shkatërruar raketa të lëshuara drejt Izraelit nga Irani.

Ora 08:45
‘Formoni zinxhirë rreth centraleve elektrike’, apeli i Teheranit për të rinjtë

“Të rinjtë të formojnë ‘zinxhirë’ rreth centraleve elektrike të vendit”, është apeli i Alireza Rahimi, sekretar i Këshillit të Lartë për Rininë dhe Adoleshencën, pas kërcënimeve për sulme të mëtejshme nga Shtetet e Bashkuara.

Apeli, gjatë një video-thirrjeje, iu drejtuar “të gjithë të rinjve, sportistëve, artistëve, studentëve dhe studentëve universitarë, si dhe profesorëve të tyre”, që të mblidhen të martën në orën 14:00 rreth centraleve elektrike, të cilat janë pasuria jonë kombëtare dhe kapitali ynë; pavarësisht çdo shijeje ose opinion politik, ato i përkasin së ardhmes së Iranit dhe të rinjve iranianë.”

Ora 08:38
The Times: Mojtaba Khamenei i pavetëdijshëm dhe në gjendje të rëndë, nuk merr dot pjesë në asnjë vendimmarrje

1774804330_Mojtabaaak.jpg

Udhëheqësi Suprem iranian Mojtaba Khamenei ndodhet në gjendje të pavetëdijshme dhe po merr trajtim mjekësor në qytetin e Qomit, raporton The Times.

Khamenei është pa ndjenja dhe “në gjendje të rëndë që nuk i lejon të marrë pjesë në asnjë proces vendimmarrës të regjimit”, thuhet në memorandumin e inteligjencës izraelite dhe amerikane.

Agjencitë e inteligjencës izraelite dhe amerikane kishin qenë prej kohësh në dijeni të vendndodhjes së Khameneit, vijon raportimi.