Themelimi i Wikileaks/ Assange
fiton përkrahje nga OKB, po jo lirinë

Themelimi i Wikileaks/ Assange<br />fiton përkrahje nga OKB, po jo lirinë
TIRANË - Tingëllon si një shuplakë e zhurmshme: një organ për të drejtat e njeriut i  Kombeve të Bashkuara kritikon drejtësinë britanike dhe suedeze. Gjykimi i Grupit për Burgosjet Arbitrare – i cili pa dyshim është pak i njohur – është i qartë: qëndrimi ndaj themeluesit të Wikileaks Julian Assange është i paligjshëm. Atij duhet t'i jepet menjëherë liria. Po ashtu, ai duhet të kompensohet për afro 2.000 ditë burgim të paligjshëm. 

Deri tani nuk ka pasur asnjë padi kundër Julian Assange. Drejtësia britanike mbështetet në një urdhër-arresti evropian, i cili lidhet me kërkesën e një prokuroreje suedeze për ta marrë në pyetje Assange në fazën e hetimeve paraprake. Prokurorja suedeze, e cila qe marrë me rastin në Stokholm, e kishte mbyllur atë për mungesë faktesh, para se ky rast të rihapej sërish nga një prokurore në Goteborg.

Grupi i OKB-së për Burgosjet Arbitrare e akuzon atë se ka zvarritur hetimet dhe i ka zgjatur ato në mënyrë disproporcionale. Për vite të tëra ajo ka insistuar për ta marrë në pyetje Assange në Suedi dhe ka refuzuar të shkojë për ta marrë në pyetje në Angli. Kjo, në një kohë që hetuesit suedezë kanë kryer në të njëjtën periudhë në raste të tjera, më shumë se 40 marrje në pyetje në Angli.

Kryqëzata
Po të mos kishte qenë fjala për themeluesin e Wikileaks, ndoshta as drejtësia suedeze, as ajo britanike, nuk do të zbatonin skenarin absurd të detyruar për "marrjen në pyetje" të Assange. Duket se kemi të bëjmë më pak me zbatimin e ligjit, se sa me shfrytëzimin e ligjeve për ta bërë të heshtë një gazetar investigativ. Mund të supozojmë se autoritetet amerikane kanë ushtruar presionin e duhur në sfond. Sidomos Julian Assange, por dhe bashkëpunëtorët e tjerë të Wikileaksit, kanë bërë armiq të fuqishëm në Uashington. Publikimet e Wikileaks kanë zbuluar që nga viti 2010 një anë të pistë të politikës amerikane – veçanërisht në operacionet ushtarake në Irak dhe Afganistan. Ajo çfarë doli në dritë atëherë, ishte shumë e pakëndshme për klasën politike. Reagimet ishin në përputhje me rrethanat: politikanët dhe ushtria bënë thirrje publikisht për vrasjen e Assange.

Për zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden, Assange është një "cyber-terrorist". Asnjë administrate amerikane nuk ka vepruar ndonjëherë me kaq ashpërsi kundër një whistleblower-i sa ajo e Barak Obamës. Dhe,madje, duke mos vepruar në përputhje me ligjin. Ashtu si në verën e vitit 2013. Kur avioni i presidentit bolivian Evo Morales, i cili ishte duke u kthyer nga Moska për në Bolivi, u detyrua të ulet në Vjenë. Arsyeja: kishte dyshime se në bord mund të ishte whistleblower-i i NSA-së Edward Snowden. Në kuadër të veprimeve të tilla, shqetësimi i Assange dhe frika ndaj një ekstradimi në SHBA nuk duhet të hidhet poshtë si argument pa bazë. Edhe në qoftë se Anglia dhe Suedia përbetohen me dorë në zemër se nuk kanë marrë asnjë kërkesë për ekstradim nga SHBA, fakti është që FBI po hetonWikiLeaks-in. Dhe është afërmendsh që urdhër-arrestet apo kërkesat për ekstradim janë gati në sirtarët e autoriteteve të SHBA dhe mund të dërgohen me faks.
 
Fitore që nuk sjell liri
Gjykimi i Gjenevës i jep krahë Julian Assanges, por nuk do t'i sjellë kaq shpejt lirinë. Sepse ekspertët e Gjenevës nuk mund të bëjnë më tepër  se sa të shtojnë presionin moral. Si Anglia, edhe Suedia, kanë bërë të qartë se nuk e ndjejnë veten të detyruar ndaj gjykimit të grupit të punës. Ky është qëndrim mediokër dhe i gabuar. Sepse, pavarësisht personit të Assanges, një gjë është e qartë: me këtë, ato dobësojnë pozitën e tyre në mosmarrëveshjet për të drejtat e njeriut me shtetet e padrejta.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria dy medalje bronzi në Lojërat Olimpike, e kujt është merita?



×

Lajmi i fundit

Vihen nën kontroll vatrat e zjarrit në bashkinë e Selenicës, s’ka rrezik për banorët

Vihen nën kontroll vatrat e zjarrit në bashkinë e Selenicës, s’ka rrezik për banorët