Theologos, në njësinë administrative Dhivër të Bashkisë Finiq, është një nga zonat minoritare më të pasura me monumente kulture, me 15 objekte historike që dëshmojnë për një trashëgimi qindravjeçare.
Për të tretin vit radhazi, Bashkia organizoi festen e “Hënës së pastër” me qëllim ruajtjen e traditave dhe promovimin e turizmit kulturor. Me këtë rast takojmë banorë e studiues që na tregojnë historinë e zonës.
Qendra historike ka qenë Cerkovicë, pranë Urës së gurtë, mbi 300 vjeçare, që dëshmon mjeshtërinë e ndërtuesve. Deri në vitet 1950, zona ishte qendër ekonomike me mullinj, kovaçana dhe han. Kjo rrugë ka lidhur qytetet antike të Finiqit, Dodonës dhe Adrianopolit.
Pranë urës ndodhet Manastiri i Shën Joanit të Theologos, i ndërtuar rreth vitit 1600, përshkruar nga udhëtarët si “fole shqiponje në shkëmb”.
“Është ndërtuar në vitin 1797 dhe në vitin 1806 është bërë pikturimi ose ikonografia brenda këtij manastiri. Është edhe kryqëzimi i rrugëve romake, që njëra vjen nga Dermishi, kalon në Kustovo, në Dhivër, mbërrin këtu dhe vazhdon të drejtim të Malcanit dhe del në Rripës, që është pika kufitare me Greqinë”,- thotë Petro Bereti.
Ndërtesat rreth manastirit u shkatërruan gjatë regjimit komunist dhe gurët përdoren për stallat e bagëtive.
Në Malçan ndodhet Kisha e Shën Mërisë, e periudhës pasbizantine, me formë kryqi dhe arkitekturë që ngjan me miniaturën e Hagia Sophia, ndërtuar në fund të shekullit XVI.
Në Dhivër janë tre manastire, përfshirë Manastirin e Shën Gjergjit, i ndërtuar në shkëmb. Brendësia ruan piktura nga shekulli IX deri në shekullin XVII, fillimisht vend eremitësh dhe më pas paraklis murgjish. Në Leshnicë ndodhen dy ura guri dhe dy manastire të tjera, pjesë e mozaikut historik të zonës. Por këto monumente po degradojnë dhe kane nevoje urgjente për restaurime.
“Vitet e fundit nuk shohim një interes nga ana e ministrisë së Kulturës, dhe e Trashëgimisë Kulturore, për ruajtjen dhe administrimin e këtyre monumenteve të kulturës. Dy ura që janë këtu, ai i Leshnicës dhe ura tjetër që ka qenë kanal vaditës në zonën e Malçanit rrezikojnë te shemben”,- thotë Bereti.
Rruga e asfaltuar një vit më parë e ka bërë zonën më të aksesueshme për vizitorët por kërkohen investime për ta ruajtur këtë pasuri dhe për ta shndërruan në destinacion të turizmit kulturor.
Komente












