Një 47-vjeçar u arrestua në fshatin Thanë të Elbasanit, pasi theu masën e arrestit shtëpiak.

47-vjeçari kishte dëmtuar me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, portën e banesës së një 66-vjeçareje.

Dyshohet se ngjarja ndodhi për motive të dobëta.

Njoftimi i policisë

Elbasan

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe dëmtoi portën e një banese, me automjetin që e drejtonte pa leje drejtimi, vihet në pranga 47-vjeçari. 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Thanë, një shtetas kishte dëmtuar me automjet, portën e një banese, kanë kryer menjëherë veprimet hetimore për identifikimin e autorit. 

Si rezultat i veprimeve të shpejta policore, u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi O. L., 47 vjeç, banues në fshatin Thanë.

Ky shtetas dyshohet se për motive të dobëta, ka dëmtuar me një automjet që e drejtonte pa leje drejtimi, portën e banesës së shtetases S. H., 66 vjeçe, në fshatin Thanë.    

Nga verifikimet rezultoi se 47-vjeçari kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprat penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Shkatërrimi i pronës”.