Propozimi i Partisë Demokratike që kreu i shtetit të raportojë në Komisionin e Jashtëm me atë çfarë di mbi negociatat e kufirit detar Shqipëri-Greqi, dhe gatishmëria e menjëhershme këtij të fundit për të ardhur në komision, duket se do të shënojë rastin e parë në këtë drejtim.
Por si mund të realizohet kjo seancë dëgjimore?
PD mund të përdorë në kërkesën e saj me shkrim, nenin 102 të Rregullores së Kuvendit që thotë se: “Drejtuesit e institucioneve shtetërore, me kërkesë të komisioneve, japin shpjegime dhe informojnë për çështje që lidhen me veprimtarinë e tyre”, duke e konsideruar kështu Ilir Metën drejtues institucioni.
Burime të mirinformuara nga Presidenca i thanë Report TV se “Presidenti i Republikës e konsideron veten si një i zgjedhur i Kuvendit dhe nuk sheh asgjë të keqe që të dialogojë apo informojë ligjvënësit. Edhe pse nuk ka asnjë bazë ligjore për këtë çështje, funksionarët e presidencës argumentojnë se ajo që nuk ndalohet, edhe pranohet”.
Por çfarë ndodh në institucionin pritës të kësaj seance, në Kuvend? Burime jo zyrtare, thanë për Report TV, se: “Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit është i detyruar të përcjellë çdolloj kërkese shkresore të një deputeti apo një grupi deputetësh ndaj çdo lloj institucioni”. Pra, Kuvendi njofton Presidentin për kërkesën, dhe është ky i fundit që procedon më tej.
Kjo është vetëm ana formale. Në vlerësimin politik, do të duhet një vendimmarrje e kryetares së Komisionit të Jashtëm, Mimi Kodheli për të zhvilluar apo jo në një seancë të tillë numrin një të shtetit, Ilir Metën.
d.gj/ Shqiptarja.com

VIDEO











