“Unë, nuk di, si ky Parlament, vazhdon ende diskutimet normalisht, kur një ish-kryeministër, bën thirrje publike, që një populli të armatoset. Dhe unë nuk besoj ka thirrje më kriminale sesa kaq. Unë nuk besoj ka thirrje më antikushtetuese sesa kaq. Unë nuk besoj ka më djallëzi sesa kaq. Dhe unë shpresoj shumë që prokuroria të gjejë kurajë ta thërrasë, pikërisht pse është vepër penale të bësh thirrje publike për armatosje dhe të bësh thirrje publike për dhunë ndaj institucioneve. Kjo që ndodh këtu është skandaloze.Një ish-kryeministër, që bën thirrje për armatosje të popullit, unë besoj, jep shembullin më të mirë si ka qeverisur kur ka qenë në detyrë. Dhe, i kemi të freskët ende, të gjithë bashkë, kolektivisht, populli akoma më shumë, rastin kur katër qytetarë u vranë në bulevard pse protestonin para zyrës së tij, tregon shembullin më të mirë si e ka përdorur pushtetin dhe mendjen kriminale që ka.
Tregon shembullin më të mirë se si ka qeverisur ai vetë dhe se si e koncepton tani opozitën. Megjithatë unë shpresoj që Prokuroria të marrë masa dhe ta thërrasë për ndjekje penale këtë njeri që ka guxim, këtu nga salla e parlamentit, publikisht të bëjë thirrje që populli të armatoset. Kjo është thirrje e një epoke tjetër, të cilën shqiptarët e kanë lënë pas, në 23 qershor të vitit 2013. Kjo është thirrja e epokës tjetër që ka ndarë dy botë: të shkuarën e atyre që qeverisnin me armë për të mbajtur pushtetin, duke vrarë njerëz; dhe të ardhmen e kësaj qeverie që nuk njeh kërkënd mbi ligjin, pa asnjë dallim, qoftë politik, qoftë partiak, qoftë institucional, pasuror, racor, cilidoqoftë."-tha Tahiri
Ministri Tahiri i kërkoi Partisë Demokratike të distancohen nga këto thirrje ekstreme të një ish-kryeminsitri të një vendi demokratik për armatosje.
“Pse nuk çohet këtu njeri ta kundërshtojë. Ju që çoheni për një flakë shkrepëseje. Ju që çoheni për çdo të dyshuar. Ju që çoheni për çdo të arrestuar. Ju që çoheni për çdo operacion policie. Ju që çoheni për çdo gjë që në vlerësimin tuaj meriton koment. Pse nuk çoheni këtu ta denonconi? Pse nuk çoheni këtu të distancoheni? Pse nuk çoheni këtu të thoni: jo ai nuk përfaqëson mendimin zyrtar të Partisë Demokratike, se Partia Demokratike nuk bën thirrje që populli të armatoset. Çohu këtu z. Patozi. Keni qenë kryetar i grupit e dëgjuat ish-kryeministrin tuaj tha këtu: që populli të armatoset, dhe bëri thirrje publike. Mund të çohesh këtu dhe të merresh me mua. Mund të çohesh këtu të më shash mua. Mund të çohesh këtu e të shash qeverinë, të akuzosh këdo nga ne... por bëj një punë: distancohu! Ju ftoj të gjithëve ta bëni, e nuk po e bëj për provokim, besomëni për këtë. Por ky Parlament nuk mund të duroj një ish-Kryeministër që për 20 vite i ka ndenjur “kalaqafë” popullit dhe sot vjen këtu e bën thirrje që populli të armatoset"-tha Tahiri
Lidhur me çështjen e Shullazit, ministri Tahiri kërkoi që të krijohet në mënyrë të menjëhershme një Komsion Hetimor për të vërtetuar atë që ka bërë policia dhe veprimet e Prokurorisë.
“Kam një koment shumë të shkurtër për çështjen e Shullazit. Ju sfidoj publikisht: nëse doni të shikoni çfarë ka bërë a nëse ka vepruar apo jo Policia, nëse doni të shihni nëse ka vepruar apo jo Prokuroria – bujrum, ngrini Komision Hetimor që sot në parlament. Ja ku jeni. Instrumentet parlamentare i keni. Ngrini komision hetimor. Doni të shihni të vërtetën? Lërini pallavrat, lërini llafet, lëreni zhurmën, lëreni baltën – ejani ngrini komision hetimor sot. Sot! E marr unë përsipër të flas edhe me kryeministrin, edhe me kryetarin e Kuvendit, edhe me kryetarin e grupit të mazhorancës – ngrini komision hetimor sot!Verifikojeni, hyni në çdo dokument e letër të Policisë e Prokurorisë dhe shikoni kush ka vepruar e kush jo. Me një premtim: që ato letra pasi t’i merrni t’i bëni publike. E të vini këtu e të bëheni bashkë me ne në një iniciativë të vetme: ai që nuk ka vepruar të ikë nga detyra. Ai që nuk ka bërë detyrën të shkarkohet nga Kuvendi. Merreni përsipër këtë, ejani këtu, ngremë komision hetimor – dhe ai që nuk ka bërë detyrën të marrë faturën.”
Redaksia online
(s./shqiptarja.com)