TIRANE- Vetëm 2 nga 39 ushtarët e forcave speciale të zhytësve të Marinës greke të cilët hodhën parulla raciste kundra shqiptarëve në paradën e 25 marsit të vitit 2010 në Athinë, janë shpallur fajtor dhe dënuar me burg.

Gjykata detare e Pireut ka dhënë dje dënimin me  3 muaj dhe 15 ditë burg për 2 ushtarë duke argumentuar se vetëm ata të dy shquhen qartë në video, duke kënduar këngët me përmbajtje fyese për shqiptarët, maqedonasit e turqit.

Toga e forcave speciale të zhytësve të Marinës Ushtarake greke u padit nga Komiteti i Helsinkit për shkelje të Nenit 2 të ligjit “Për antiracizmin”.

Gjatë paradës ushtarake të 25 Marsit të vitit 2010, ushtarët e kësaj toge hodhën parulla raciste, kundër shqiptarëve, turqve dhe maqedonasve.“Grek lind, kurrë nuk mund të bëhesh” ose “me lëkurën e shqiptarëve do të bëjmë këpucë “, ishin disa nga parullat që brohorisnin njerëzit e forcave speciale gjatë paradës së 25 marsit.