Aksi Thumanë - Kashar do të hapet më 30 qershor. Kështu u bë i ditur sot gjatë inspektimit që kryeministri Edi Rama i bëri punimeve tashmë drejt finalizimit, ndërkohë që puna për ndërtimin e urave, mbikalimeve e nënkalimeve, ka përfunduar plotësisht.

Pasi u njoh me detaje të punimeve, Rama tha se kur punohet me tre turne, rruga përfundon në afatet e caktuara kohore.

Ndërkohë që gjatë qershorit lidhen kontratat për segmentet Kashar - Lekaj - Fier dhe Thumanë - Milot, si edhe hapet gara për segmentet Milot - Balldren dhe Balldren - Muriqan, të cilat plotësojnë të gjithë trupin e Korridorit Blu, si pjesë e unazës europiane të turizmit mesdhetar.

Ky aks përmban disa vepra arti, 11 ura, 105 tombino, 6 mbikalime dhe 6 nënkalime, si dhe ndërtimin e dy nyjeve të mëdha me dalje në aeroportin e Rinasit dhe nyjën e Kasharit ku bëhet edhe lidhja me aksion rrugor Tiranë-Durrës.

Paralelisht me Korridorin Blu do të vijojnë financimet për realizimin e Korridorit VIII Durrës - Pogradec, ku do të realizohet edhe lidhja me rrjetin europian të transportit Lindje - Perëndim, duke përmbyllur skeletin e infrastrukturës rrugore të Shqipërisë 2030, gati për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.