TIRANË – Një telefonatë në drejtorinë e policisë së qarkut të Tiranës ka sinjalizuar sot rreth orës 14.30 dëmtimin dhe grabitjen brenda automjetit të deputetit socialist Marko Bello. Ngjarja ka ndodhur në zonën “Komuna e Parisit” në garazhin e pallatit ku jeton deputeti socialist. Sipas burimeve policore, automjetit me targa TR 0402 M, i është thyer xhami i pasëm dhe më pas janë grabitur disa sende personale. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me dy automjete të tjera, të parkuara në të njëjtin garazh të pallatit ku jeton Marko Bello. Policia ka nisur hetimet për autorët e grabitjes.

(aq/shqiptarja.com)