Armando Sadiku mund të cilësohet si njeriu i momentit në Kombëtare dhe kjo vjen që pas golit të tij kundër armenëve i cili i mundësoi kualifikimin Shqipërisë. Simpatia e tifozëve ndaj Sadikut është shtuar edhe pas golave të tij në ndeshjet miqësore.

Tifozët e Elbasanit e kanë shprehur entuziazmin ndaj këtij lojtari duke vendosur një fanellë gjigante që mban emrin e lojtarit, në qendër të qytetit të Elbasanit. Fanella kuqezi me numrin 10 dhe me përmasa 6 metra e gjatë dhe 2,6 metra e gjerë është vendosur në muret e Kalasë së qytetit që të jetë e dukshme nëpër gjithë bulevardin.

Armando Sadiku është i vetmi lojtar nga Elbasani që do të luajë për Shqipërinë në Euro 2016. Tifozët shqiptarë nuk do ta ndalojnë me kaq fantazinë e tyre, ata kanë vendosur të mahnisin botën në  ndeshjen e 15 Qershorit kundër Francës me shpalosjen e një flamuri gjigant rreth 11 mijë metra katrorë në qytetin e Marsejës.

armando sadiku

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com