Të ushqehesh mirë sot do të thotë edhe të gjesh një qytet që di të rrëfejë historinë e vet përmes ushqimit: tregje, ushqim rruge, taverna, kuzhinë tradicionale, restorante bashkëkohore dhe pjata që arrijnë të thonë diçka për vendin ku lindin. Ndoshta kjo është arsyeja pse disa renditje gastronomike globale po ndryshojnë fytyrë. Më pak luks, më shumë identitet. Më pak formalitet, më shumë jetë e përditshme.
Këtë e konfirmon lista e re e përpiluar nga Time Out, revistë udhëtimesh dhe kompani mediatike globale me seli në Londër. Renditja është hartuar duke mbledhur mijëra përgjigje nga mbi 150 qytete të botës dhe duke i krahasuar ato me vlerësimet e rrjetit ndërkombëtar të ekspertëve, redaktorëve dhe kritikëve gastronomikë të revistës. Për të shmangur një listë të dominuar nga vende të veçanta, në Top 20 ka hyrë vetëm qyteti me rezultatin më të lartë nga secili shtet.
Në krye për këtë vit është Lima, kryeqyteti gastronomik që prej kohësh ndërthur përbërës vendas, ndikime nikkei dhe restorante të afta të ndikojnë kuzhinën latinoamerikane shumë përtej kufijve të Perusë. Menjëherë pas saj renditen Bangkoku dhe Mexico City, ndërsa Londra zë vendin e katërt dhe Barcelona të pestin. Top 10 vazhdon me Ho Chi Minh City, Melburnin, Pekinin, Athinën dhe Lisbonën.
Në listë shfaqet vetëm një qytet italian: Napoli. Kryeqendra e rajonit të Campania ngjitet në vendin e katërmbëdhjetënë vitin 2025 ishte në vendin e nëntëmbëdhjetë, falë një kuzhine që konsiderohet “ende thellësisht popullore, e përballueshme dhe me identitet të fortë. Pica, ushqimet e skuqura, makaronat, tregjet, ushqimi i rrugës dhe pastiçeria vazhdojnë të përfaqësojnë një model të jetës shoqërore dhe mikpritjes që, jashtë vendit, ruan një magjepsje të vështirë për t’u përsëritur.”
Shumë nga qytetet e vlerësuara kanë një karakteristikë të përbashkët me Napolin: hahet mirë duke shpenzuar relativisht pak. Sipas Time Out, çështja e të qenit të pranueshme për xhepin ka pasur një peshë gjithnjë e më të madhe në vlerësime. Lima, për shembull, është cilësuar si një nga qytetet më të leverdishme, duke ruajtur njëkohësisht një nivel gastronomik shumë të lartë.
Por nuk mbaron me kaq. Renditja tregon edhe një ndryshim tjetër. Destinacionet gastronomike më të dashura sot nuk janë domosdoshmërisht ato më elegante ose më formale, por “ato ku ushqimi mbetet pjesë e jetës së përditshme”. Bangkoku bind me ushqimin e tij të kudondodhur të rrugës, Mexico City me forcën e kuzhinës tradicionale të interpretuar në mënyrë bashkëkohore, ndërsa Lisbona me një skenë të re dhe dinamike.
Përtej renditjes, del në pah një skenë urbane gastronomike veçanërisht e gjallë. Nga Lisbona në Limë, duke kaluar përmes Nju Jorkut, Kopenhagës dhe Ho Chi Minh City, qytetet e vlerësuara po ripërcaktojnë mënyrën e të ngrënit jashtë shtëpisë: mes adresave të pavarura, kuzhinave hibride, trendeve të lindura në rrjetet sociale dhe një vëmendjeje në rritje ndaj identitetit lokal. Në menunë globale shfaqen akullore me satsuma në Nju Jork, noodles të përgatitura me hala peshku në Kopenhagë, versione bashkëkohore të phở vietnamez, por edhe tacos të rikrijuara, sanduiçe që janë shndërruar në fenomene urbane dhe skena të dedikuara për kokteje dhe specialitete kafesh, të cilat e bëjnë udhëtimin po aq të vlefshëm sa edhe restorantet në kuptimin më tradicional të fjalës./Corriere
Lista e plotë:
- Lima (Peru)
- Bangkok (Tajlandë)
- Mexico City (Meksikë)
- Londër (Mbretëria e Bashkuar)
- Barcelonë (Spanjë)
- Ho Chi Minh City (Vietnam)
- Melburn (Australi)
- Pekin (Kinë)
- Athinë (Greqi)
- Lisbonë (Portugali)
- Cape Town (Afrika e Jugut)
- Osaka (Japoni)
- Bengaluru (Indi)
- Napoli (Itali)
- Nju Jork (Shtetet e Bashkuara)
- Hong Kong (Kinë)
- Buenos Aires (Argjentinë)
- Marsejë (Francë)
- Kopenhagë (Danimarkë)
- Medellín (Kolumbi)
Komente