Çdo mëngjes, tingulli i kambanës zgjon fshatin e Lurës.

Pas saj, nuk qëndron një prift, por një besimtar mysliman. Çdo ditë Luan Doçi lë shtëpinë dhe merr rrugën drejt qendrës së Lurës.

38-vjeçari është i pari që hap dyert e kishës së Shën Mërisë, e mirëmban atë dhe i bie kambanës duke thirrur në lutje besimtarët katolikë.

Për të, besimi nuk është një kufi që ndan njerëzit, por një vlerë që i bashkon.

“Këtu kanë punuar djem myslimanë, kanë ikur në Angli kush ka punuar këtu. Na ndihmonte Zoti, pa u vrarë as gishti i vogël, kanë ikur në Angli ata djemtë myslimanë”, thotë ai.

Kisha mbart një pjesë të rëndësishme të historisë së fshatit Lurë, e si të tillë, Luani thotë se do ta ruante si çdo objekt tjetër të shenjtë.

“Edhe myslimanët vijnë e luten këtu, edhe katolikët, këtu është kishë shumë e fortë, motër me kishën e Laçit. Ma ka bërë Zoti mbarë, edhe te familja më kanë shkuar punët mirë, më ka ndihmuar Zoti që i kam bërë hyzmet kësaj”, shprehet 38-vjeçari.

Për të Kisha e Sh’Mrisë siç e cilësojnë banorët është kishë e fortë, ndaj së cilës besimi është përtej fesë e që sipas Luanit ka dëshmuar se lutjet në të u pranohen të gjithëve.

Përkushtimi i tij si besimtar mysliman, ndaj kishës, ka mahnitur edhe të huajt, siç vetë 38-vjeçari tregon.

“Thonë je mysliman, them e bëj me qejf, sa mundësi të kem do ta mbaj”, thotë Luani.

Kjo nuk e ka penguar Luan Doçin të ndjekë dhe ritet fetare të besimit të tij.

“Thonë e ka bërë me rrogë, jo, s’marr rrogë, për sevap të Zotit”, shpjegon ai.

Për të shërbesa është veç vijim i rrugës së të parëve, siç gjithnjë e ka pasur zakon shqiptari.

“Nuk ndahen shqiptarët për fe, të gjithë bashkë janë”, përfundon 38-vjeçari.

Historia që vjen nga Lura është një copëz e realitetit shqiptar ku bashkëjetesa fetare ka qenë gjithnjë virtyt i shqiptarëve jo vetëm tani, por ndër shekuj.

Pikërisht kjo kambanë që një mysliman i bie çdo ditë, është zëri më i bukur i bashkëjetesës fetare në Shqipëri.