TIRANE - TIRANE - Të rinjtë kuqezi u mblodhën mëngjesin e sotëm në ambientet e Qytetit Studenti për të demaskuar - siç thanë ata - korrupsionin galopant që bëhet në këtë zonë me fondet qeveritare.

Sipas Sekretarit për Rininë në AK, Adriatik Lapaj, Qyteti Studenti është kthyer në vendin e bixhozit e kazinove ku të gjitha bandat dhe fëmijët e deputetëve të Partisë Demokratike hapin bizneset e tyre. Sipas tij, Drejtori i Qytetit Studenti ka përfituar miliona dollarë në rrugë antiligjore i cili më pas i ka shpërndarë pranë njerëzve të afërt të Sali Berishës.

“Ne jemi sot këtu për të kërkuar nga Prokuroria e Përgjithshme hetimin dhe arrestimin e Drejtorit të Qytetit Studenti i cili është përfshirë në aferën korruptive të 3 milionë dollarëve, si dhe për cilësinë e dobët të të studentëve shqiptarë në Qytetin Studenti. Aleanca Kuq e Zi deklaron se të gjitha denoncimet që ajo kryen për aferat korruptive të pushtetarëve të Sali Berishës nëse prokuroria e përgjithshme nuk vepron, pas 23 qershorit, qeverisja kuqezi do të ndëshkojë pa dallim të gjithë ata zyrtarë që kanë përlyer duart në paratë e korrupsionit dhe mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë dhe studentëve”, tha Adriatik Lapaj.

Ndërsa nga ana tjetër, sipas AK mungojnë kushtet minimale të jetesës për studentët si dhe siguria e tyre, sidomos për vajzat.

Aleanca Kuq e Zi e mbështetur edhe nga studentët, ka kërkuar arrestimin e Drejtorit të Qytetit Studenti dhe largimin nga qeveria të Sali Berishës.

Protesta e zhvilluar ditën e sotme është lejuar nga organet e ruajtjes së rendit por më vonë studentët Kuq e Zi janë larguar me dhunë pasi kanë tentuar të marshojnë drejt zyrës së Drejtorit të Qytetit Studenti.

(v.gj/Shqiptarja.com)