TIRANE – Projektet për bulevardin e Tiranës janë ekspozuar sot në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar me qëllim që të gjithë qytetarët të mund t’i shikojnë ato nga afër. Aty i pranishëm ka qenë edhe kreu i Bashkisë së kryeqytetit, Lulzim Basha, i cili shpjegoi se për çdo pyetje në ndihmë të qytetarëve do të jenë prezent specialistë të Urbanistikës ndërsa ata do të mund të shprehin mendimet e tyre përmes një formulari.
 
Basha theksoi se javës tjetër, nëpërmjet tureve të organizuar nga Bashkia, “do japim shpjegime të veçanta për grupe të veçanta të interesit, për median. Kalendari i ngjeshur i tureve të organizuara nga Bashkia ka në fokus arkitektët, urbanistët dhe studentë të arkitekturës”, shtoi kryebashkiaku.

Ai i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Tiranës për të vizituar këto projekte dhe që të bëhen pjesë aktive e këtij procesi. “I bëj ftesë të gjithë qytetarëve që në fundjavë dhe kur të kenë kohë të jenë të pranishëm dhe të vizitojnë këto projekte dhe të marrin pjesë aktive në këtë proces, i cili do t’i hapë rrugë vendimmarrjes për bulevardin e ri dhe Lumin e Tiranës”, përfundoi Basha.

(im/shqiptarja.com)