TIRANE – Një kazino që ndodhet në zonën e Myslym Shyrit, pranë Drejtorisë së Policisë në Tiranë, ka qenë objekt i një grabitje me armë gjatë ditës së sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:30 kur dy persona të armatosur kanë hyrë në kazino dhe kanë kërkuar të merrnin të gjitha paratë që gjendeshin aty.

Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje, ka bërë të mundur arrestimin e njërit prej dy autorëve të dyshuar të këtij sulmi. Nga informacionet paraprake mësohet se shuma e parave të grabitura është e vogël pasi aq ndodheshin në arkat e kazinosë në momentin e sulmit.

Nuk raportohet për të lënduar.

Policia e kryeqytetit po punon për kapjen edhe të autorit tjetër të kësaj grabitje me armë dhe për këtë po ekzaminon filmimet e telekamerave si dhe po merr në pyetje dëshmitarët e ngjarjes.

Një tjetër sulm i ngjashëm ndodhi edhe ditën e djelë në një tjetër kazino në zonën e Tiranës së Re ku grabitësit morën rreth 500 mijë lekë të vjetra.

(im/shqiptarja.com)