TIRANË - Arrestohen në flagrancë dy vjedhës makinash në orët e para të mëngjesit në rrugën Ndre Mjeda në zonën e parkut të autobuazave. Gëzim Zek Buqa 20 vjeç nga Kosova dhe Zenel Meçi nga Kukësi kanë qenë duke vjedhur një automjet tip “golf”. Sipas burimeve policore, forcat e komisariatit numër dy prej disa muajsh kishin nisur hetimet për vjedhjen e automjeteve. Pas një pune disa javore u bë e mundur kapja e dy shtetasve të sipërpërmendur. Deri në këto momente ndaj tyre janë dokumentuar 8 raste vjedhjesh makinash si dhe aksesor të ndryshëm automjetesh. Sipas policisë personat janë pjesë e një grupi të strukturuar hajdutësh, ku mendohet se janë të përfshirë edhe të tjerë. Në momentin e arrestimit personave u janë gjetur 6 çelësa makinash, doreza të ndryshme si dhe mjete të tjera për hapjen e makinave.

(aq/shqiptarja.com)