Është mbyllur me shumë pakënaqësi, sidomos nga kampi i Tiranës, sfida në Elbasan Arena ndaj të verdhebluve të Gvozdenoviç. Elbasani arriti të barazonte 1-1 pas golit të shënuar fillimisht nga bardheblutë me Tabekou-n.

“Nuk jam i kënaqur me 1 pikë, por jam krenar me skuadrën se kemi 33 pikët deri më tani në kampionat. Nuk është pak për mendimin tim, por është shumë,”- u shpreh Ivan Gvozdenoviç, trajner i Skënderbeut.

Elbasani barazoi falë një penalltie të kthyer në gol nga Tsague, por vendimi i arbitrit për ta akorduar shkaktoi shumë kaos. Kjo pasi Tirana kishte pretendime se nuk duhej të jepej dhe duke qenë një rast i përsëritur vendosi të braktiste ndeshjen. Pas disa minutash bardheblutë u kthyen në fushë për të përfunduar sfidën.

“Një penallti e diskutueshme që nuk dua ti futem. Nervat e lojës bëjnë të vetën. Më pëlqeu skuadra. Mënyra se si sakrifikoi për t’ia dalë në këtë ndeshje,”-tha Ardian Nuhiu, trajner i Tiranës.

Ndërkohë në Shkodër Vllaznia u kthye te fitoret pas 7 ndeshjesh, duke mposhtur 3-2 Flamurtarin falë Balajt i cili realizoi ‘dopietë’. Më herët Vora fitoi me goleadë 4-1 kundër Bylisit, teksa pati edhe një situatë të pazakontë. Pas një gabimi që i kushtoi gol, portieri francez i ballshit Jeremy Vashu braktisi ndeshjen, duke u larguar nga fusha. Episod që trajneri Josa e justifikoi duke thënë se ishte i dëmtuar, ndërsa gjyqtari e ndëshkoi me të verdhë.

Të martën për llogari të javës së 18 Dinamo përmbysi 1-3 Partizanin, ndërsa Egnatia mposhti 0-1 Teutën. Të pestë këto sfida përmbushën gjysmën e kampionatit që udhëhiqet nga Egnatia me 37 pikë, 4 më shumë se Elbasani i vendit të dytë, 5 më shumë se Dinamo e vendit të tretë dhe 7 më shumë se Elbasani i vendit të 4. Tabelën e klasifikimit e mbyll Tirana me 10 pikë, 4 më pak se Flamurtari i vendit të parafundit dhe 8 më pak se Bylisi i vendit të 8, që duhet të bëjë ‘play-off’ për mbijetesën. Pas 18 javësh Superliga do të ndërpritet për pushimet e dimrit, teksa do të rikthehet me 24 janar.