Superliga shqiptare për vitin 2023 do rikthehet të premten dhe ndër skuadrat e para që zbret në fushë është Tirana kampione në fuqi, që në orën 13:00 sfidon Laçin në transfertë. Bardheblutë janë 4 pikë pas Partizanit kryesues dhe duan ta nisin vitin me këmbën e mbarë.
“Ekip që gjithmonë është në Kupat e Europës dhe paraqitet denjësisht. Është një kundërshtar që të imponon kujdes, respekt sepse është fakto në kampionatin shqiptar,”-deklaroi trajneri i Tiranës.
Shehi shtoi se pret disa përforcime në merkaton e janarit, ndërsa saktësoi se mesfushori i sapoardhur Regi Lushkja nuk është në gjendje të luaj. Ai gjithashtu pranoi se sulmuesi Redon Xhixha ka gjasa të largohet.
“Është një situatë e përjetuar për herë të dytë nga ne pas Taulant Seferi. Është golashënuesi i kampionatit dhe sigurisht që do ketë oferta, por për momentin është këtu tek ne dhe i përqendruar te skuadra. Unë nuk mund të rri dhe të mendoj se do të iki sot apo do të iki nesër,”-u shpreh Orges Shehi, trajner i Tiranës.
Po në orën 13:00 Bylisi do të presë Kukësin, ndërsa në orën 16:00 të ditës së premte luhet supoersfida e javës së 16 Partizani-Vllaznia. Skuadrat i ndajnë 7 pikë në tabelën e klasifikimit dhe përveç hakmarrjes për humbjen në fazën e parë shkodranët e kanë edhe një mundësi për t’u afruar me kreun, pasi është objektivi i deklaruar në fillim të sezonit.
Komente










