Egnatia dhe Tirana luajnë të dielën në orën 16:30 për raundin e 22-të në Superligën e futbollit. Ndeshja do zhvillohet në stadiumin e Rrogozhinës dhe është komentuar për mediet nga trajneri i Tiranës, Ardian Nuhiu. Ai kërkon që ekipi i tij të paraqitet në fushë si ndeshjen e fundit, të fituar 1-0 kundër Flamurtarit.
Përballë bardhebluve do jetë Egnatia, kampione në fuqi e vendit, teksa Tirana do ketë mungesat e Haxhiut dhe Ernest.
“Fitorja e fundit dhe Egnatia si rival i ardhshëm - E shoh skuadrën të motivuar, rezultati i fundit ka rritur moralin te grupi, presim një ndeshje të fortë dhe luftuar sepse kemi përballë një skuadër që vitet e fundit ka udhëhequr kampionatin, lëviz shumë mirë në fushë, kanë idetë e tyre. Për të gjitha këto besoj te karakteri i skuadrës sime, duhet të jemi të disiplinuar, kemi futbollistë kualitativ edhe në aspektin individual, jemi të motivuar, lojtarët të dalin te potenciali i tyre.
Ne duhet të fokusohemi te loja jonë, të jemi shumë të disiplinuar, flitet për një skuadër që është bashkë prej një kohe, e dinë çfarë lëvizje duhet të bëjnë, besoj fuqishëm që mund të marrim më të mirën nga kjo sfidë.
Mungesat? Nesër do të kemi mungesa të rëndësishme si Haxhiu, ka një periudhë që na mungon, Ernest po ashtu, por kam besim te lojtarët që do të zbresin në fushë, kam besim për një performancë të mirë.
E ardhmja e ekipit? Kërkoj vazhdimësi, jemi në rritje e sipër, skuadra po krijon identitet dhe organizim, rezultati është i rëndësishëm, besoj që do të bëjmë ndeshje të mirë, skuadra jonë nuk duhet të gabojë, besoj fuqishëm te kualiteti dhe te karakteri i grupit sepse po na e tregojnë nga ndeshja në ndeshje, edhe ndaj Flamurtarit ishim të ngarkuar nga aspekti emocional, por lojtarët treguan madhështi dhe karakter të fortë”, deklaroi Nuhiu.
Këtë vit Tirana nuk njeh humbje në Superligë, duke marrë dy fitore dhe një barazim. Bardheblutë vijojnë të mbeten në pozitën e fundit, por vetëm dy pikë larg nga zona play-out.
Lajmi kryesor:
Sot tre ndeshje në Superligë, Partizani pret AF Elbasanin! Dinamo kërkon të 'shkelmojë' krizën, Vora gjen Flamurtarin












