Tirana në vitet’14 -’80
Shfaqen filmimet e rralla

Tirana në vitet’14 -’80 <br />Shfaqen filmimet e rralla
Një kolazh me materiale të rralla filmike, që zbulojnë jetën e kryeqytetit nga viti 1914 deri ën vitet ’80-të shfaqet në kinemanë e AQSHF me rastin e 92-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet. Përgatitur si një kolazh 21 minutës, kjo shfaqje është organizuar posaçërisht për ambasadorët e akredituar në Tiranë dhe zonjat e tyre, në mënyrë që të kenë mundësinë të shohin Tiranën dhe të njihen me historinë e saj siç nuk kanë mundur kurrë më parë. Në të shfaqen imazhe nga ura e Tabakëve, tyrbja e vjetër, xhamia, pazari i vjetër, sheshi Skënderbej në vite të ndryshme, godina e ish Komitetit Qendror, Lana, rrugët kryesore të Tiranës, ndërtimi i shtratit të Lanës, ndërtimi i Parkut Rinia, godinat e ministrive, Pallati i Kulturës, Sahati, Muzeu Historik, Hotel Tirana, korpusi i Universitetit, etj....
Nëndrejtori i Arkivit të filmit Flori Balliu, tregon për Shqiptarja.com, vlerën e rrallë të këtyre filmimeve, kush i ka xhiruar dhe çfarë përcjellin. Balliu tregon edhe për një dokumentar të veçantë të vitit 1973 realizuar nga Dhimitër Anagnosti dhe shumë surpriza që do të zbulojnë gjatë muajve në vijim me rastin e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë.

Pamje të rralla të kryeqytetit do të shfaqen në AQSHF me rastin e 92-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet. Çfarë janë këto filmime, kur janë realizuar dhe çfarë servirin?
Në kuadër të aktiviteteve që po zhvillohen me rastin e 92-vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet, edhe AQSHF organizon sot këtë shfaqje filmike, me momente të ndryshme të zhvillimit të Tiranës, në shekullin e XX. Ky aktivitet bëhet në bashkëpunim me Klubin Diplomatik “Mirësevini në Tiranë”, pranë MPJ dhe nën kujdesin e veçantë të Zonjës Liri Berisha. Është menduar që në materialin filmik të përzgjedhur nga redaksia e AQSHF të vijnë në ekranin e madh pamje të rralla arkivale nga qyteti i Tiranës.
Në 21 minuta kohë filmike, nën shoqërinë e muzikës, pasi janë xhirime arkivale, pa zë, do të shfaqim Tiranën e vitit 1914 (që është edhe dokumenti i parë filmik që ruhet në Arkivin tonë, prodhim austriak) deri në Tiranën e viteve 80-të. Ky aktivitet bëhet për nder të ambasadorëve të akredituar në Tiranë dhe zonjat, të cilët do të kenë mundësinë të shohin Tiranën dhe të njihen me historinë e saj, siç nuk kanë mundur kurrë më parë. Materialet janë xhiruar në kohë të ndryshme, duke filluar nga xhirimet e austriakëve, xhirimet e Luces, në vitet 30-40, xhirimet e para të sovjetikëve e më pas xhirimet e kineastëve të parë shqiptarë, Ferhati, Koçi, Fortuzi, Lala etj, deri tek materialet e viteve 80-të të cilat janë materiale arkivale që ruhen sot në AQSHF.

Cilët nga këto imazhe an sjellin fakte e dëshmi që sot janë zhdukur, nuk ekzistojnë më?
Ne do të sjellim sot imazhe të vërteta të urës së Tabakëve, tyrbja e vjetër, xhamia, pazari i vjetër, sheshi Skënderbej në vite të ndryshme, godina e ish-Komitetit Ekzekutiv, Lana, rrugët kryesore të Tiranës, ndërtimi i shtratit te Lanës, ndërtimi i Parkut Rinia, godinat e ministrive, Pallati i Kulturës, Sahati, Muzeu Historik, Hotel Tirana, korpusi i Universitetit, etj. Një pjesë e tyre janë zhdukur dhe sot janë përjetësuar në imazhet e celuloidit, dhe do të vijnë sot në ekran në plane të rralla filmike. Natyrisht ne disponojmë më shumë materiale për Tiranën, por që në 20 minuta kohë ne po sjellim disa prej imazheve më interesante, imazhe të cilat tregojnë më së miri evoluimin e kryeqytetit.

Në ç’gjendje janë ruajtur në arkiv?
Duhet thënë se jo vetëm këto materiale, por në tërësi e gjithë pasuria filmike që gjendet në AQSHF ruhet në kushte shumë të mira, bashkëkohore dhe me parametrat e arkivave më në zë të botës. Këtë fakt e kanë konstatuar edhe vëzhgimet e herëpashershme të specialistëve francezë, apo edhe atyre italianë, si dhe na është rikonfirmuar edhe nga vizitat e ndryshme të homologëve tanë në institucionin e rëndësishëm të arkivit të filmit.

“Motive nga dita e diel”, një dokumentar nga Dhimitër Anagnosti... përveç nostalgjisë, çfarë ndjesish përcjell sot ky film?
Përveç montazhit filmik të sipërpërmendur në ekran do të sjellim edhe një film dokumentar "Motive nga dita e diel", 23', i regjisorit Dhimitër Anagnosti, prodhuar nga "Kinostudio Shqipëria e re" në vitin 1973. Filmi është një përjetim emocional i ditës së diel në qytetin e Tiranës. Jeta e qytetarëve, shëtitjet dhe aktiviteti i tyre në këtë ditë pushimi. Këtë film ne kemi pasur rastin ta shfaqim vjet në Muajin e Anagnostit, me rastin e 75-vjetorit të tij të lindjes. Filmi tregon një ditë të zakonshme “pushimi” të qytetarëve të kryeqytetit. Përveç vlerave njohëse, dokumentare, filmi ka vlera artistike, pasi dëshmon mjeshtërinë e regjisorit të madh, dëshmon këndvështrimin dhe origjinalitetin e tij, që edhe pse në kushtet e një censure apo të autocensure të rreptë, Anagnosti mundohet të sjellë jetën sa më pak të politizuar, sa më reale dhe sa më larg klisheve dhe frymës së kohës. Një film që i reziston kohës jo vetëm për panmjet por edhe për artin e tij.

Ç’sekrete profesionale, shfaqen në këtë film dokumentar, nga mjeshtëria e Anagnostit?
Regjisori i shquar Dhimitër Anagnosti “Nder i Kombit” ka në karrierën e tij shumë pak filma dokumentarë, pasi mjeshtërinë dhe klasin e tij e ka treguar në filmin artistik, ku ka realizuar mbi 10 filma me nivel të lartë, filma që janë vlerësuar si brenda dhe jashtë vendit. Por edhe në ata filma dokumentarë Anagnosti ka sjellë shqetësimin e tij prej intelektuali, qytetari, artisti, që krahas detyrës shtetërore, bën edhe detyrën si qytetar, si atdhetar. Filmat e tij dokumentarë janë njerëzorë, janë himne për njeriun e thjeshtë. Natyrisht mjeshtëria e Anagnosit duket jo vetëm në kamera, në syrin prej artisti, por edhe tek skenari, ku pjesën më të madhe e ka shkruar vetë, si dhe tek mjeshtëria e regjisë.

Një pjesë e pazëvendësueshme e kujtesës pamore ruhet në Aqshf. Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, cilat janë surprizat e rezervuara për muajt në vijim?
Në kuadrin e 100-vjetorit të Shtetit Shqiptar, AQSHF ka një program special. Duke filluar me nderimin dhe vlerësimin e disa prej figurave të mëdha që kanë bërë kinematografinë në këto shekull, si dhe një seri aktivitetesh me karakter edukues, informues dhe patriotik, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit.
Më konkretisht së shpejti AQSHF do të nderojë veprën e aktoreve të shuara të filmit shqiptar. Me një veprimtari të gjerë më 6 mars, në të cilën do të sjellim një kolazh me momente nga krijimtaria filmike e grave në filmin shqiptar, me artistet më të shuara si Margarita Xhepa, Drita Pelinku, Tinka Kurti, Rajmonda Bulku, Eva Alikaj, e shumë të tjera. Njëherësh do të vijnë edhe si homazh për disa emra të shquar aktoresh që nuk jetojnë më. AQSHF do të zhvillojë aktivitete edhe për nder të aktorëve Reshat Arbana, Birçe Hasko, piktorit të 40 filmave artistikë Shyqyri Sako, e shumë të tjera në muajt në vijim. Kemi planifikuar një seri shfaqjesh filmike në Kosovë, Maqedoni dhe Malin e Zi. Gjithashtu do të festojmë edhe 65-vjetorin e AQSHF në muajin prill. Kemi plot surpriza, të cilat do t’i zbulojmë në muajt në vijim.

Sa të rëndësishme janë këto kontakte (shfaqjet e filmave të ndryshëm nga arkivi), për publikun?
Prej mëse dy vjetësh ne e kemi hapur arkivin për publikun. Tashmë ccdo të mërkurë ne zhvillojmë aktivitete filmike me thesaret tona që ruhen në institucionin tonë. Publiku e ka mirëpritur dhe na ka mbështetur në shfaqjet në kinemanë e AQSHF. Fakti që ai vjen në shfaqjet tona filmike ne na inkurajon. Kemi përvojë për të hartuar dhe programuar aktivitete për të gjitha moshat dhe për të gjithë të interesuarit. Ne dimë të ruajmë, dimë të mirëmbajmë e të transmetojmë më tej gjithë pasurinë dhe trashëgiminë tonë filmike, ashtu sikurse dimë ta pasurojmë, promovojmë e ta sjellim atë për publikun, jo ta mbajmë të kyçur brenda kutive 35 mm, apo magazinave frigoriferike ku ruhet filmi shqiptar.


(aq/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane