TIRANE- Për Kryebashkiakun Erion Veliaj, Bashkia e Tiranës ka qenë gjithnjë e hapur për qasje në informacion ndaj kujtdo që e ushtron këtë të drejtë, pavarësisht armiqëve që abuzojnë dhe e përdorin informacionin e siguruar për qëllime personale.
“Qasja e lirë në informacion nuk është privilegj, është domosdoshmëri për një shoqëri. A ka armiq e drejta e informacionit? Patjetër! Nëse shikoni çfarë ndodhi me Iranin, ju kuptoni që po, sot të dhënat janë vulnerabël” tha Veliaj
Lidhur me këtë temë, Veliaj nuk nguroi të shënjestrojë edhe parti politike, pa përmendur emra, të cilat sipas tij i duan të dhënat për të shantazhuar biznese të ndryshme.
“Asnjë prej nesh nuk është naiv, kur një parti politike kërkon lejet e ndërtimit e kur ti e di fare mirë se ato janë vetëm “certifikata” gjobëvënieje për ndërtuesit. Ka personazhe politikë që jetojnë vetëm duke marrë informacion nga shteti se ku janë lejet e ndërtimeve dhe duke thirrur disa media prapë problematike, për t’i vendosur gjobë atij ndërtuesi, për të mbajtur me financa partinë e tyre" tha Erion Veliaj
Në fjalën e tij Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, kërkoi ndihmë nga Bashkia e Tiranës për organizimin e Konferencës së 15-të Botërore të Komisionerëve për të Drejtën për Informim.