Tirana dhe Orges Shehi rinovuan kontratën pak ditë më parë. Përtej firmës së re në kontratë, durrsaku ka oferta nga jashtë Shqipërisë. Në Azerbajxhan bëjnë me dije se 46-vjeçari është kontaktuar nga një klub i elitës së futbollit azer, duke e dashur në stol.
Sipas "azerisport.com", trajneri nuk është kundër një aventure jashtë vendit edhe pse Tirana e "blindoi". Duket se interesi nga jashtë mund të fusë në merkato edhe trajnerin, me Tiranën që do duhet të kërkojë dëmshpërblim nga klubi azer i interesuar.
Kampion me Tiranën në sezonin 2021-22 dhe nënkampion i sezonit që lamë pas, Orges Shehi ka bërë një rritje në rolin e trajnerit, teksa më herët ka drejtuar edhe Skënderbeun dhe Kukësin.