Tirana e Emanuele Egbos nuk po di të ndalet në Superligë. Ekipi bardheblu ka shkatërruar sot me rezultatin e thellë 5-1 Luftëtarin, duke u ngjitur kështu përkohësisht në krye të Superligës me 34 pikë.
Në Selman Stërmasi rezultati i bardhë zgjati vetëm 15 minuta, pasi Kobina gjeti i pari rrugën e rrjetës. Më pas Batha dhe Ngoo realizuan para se Luftëtari të shkurtonte përkohësisht me Çelën. Në minutat në vijim 24 herë kampionët e Shqipërisë realizuan edhe dy herë të tjera me Muçin dhe Bathën, duke marrë kështu fitoren e pestë radhazi në kampionat.
Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës së dielë e zhvilluar në orën 16:00 mes Teutës dhe Bylisit ka përfunduar 1-0 në favor të durrsakëve. Golin e vetëm të takimit e realizoi Vila në minutën e 11.
Java e 19 e Superligës do të mbyllet me takimin Kukësi-Partizani, që do të luhet në Air Albania. Verilindorët renditeshin të parët para se Tirana të zhvillonte takimin e sotëm, ndërsa me Partizanin kanë një diferencë prej 5 pikësh.