Emanuele Egbo, trajneri i portierëve që kqa drejtuar Tiranën që pas largimit të Jualian Ahmataj, do të drejtojë ekipin bardheblu deri në fund të sezonit. Nigeriani e mori ekipin përkohësisht, por tre fitoret në tre ndeshjet e drejtuara, kanë bindur të gjithë ambientin bardheblu.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë klubi i Tiranës që në faqen zyrtare ka shkruar:
“Emanuel Egbo do të vijojë në krye të Tiranës. Trajneri bardheblu gëzon besimin e plotë të presidentit, klubit dhe skuadrës për të marrë zyrtarisht drejtimin.
Pas tre ndeshjeve me të në krye, klubi ka vendosur ti besojë deri në përfundim të sezonit pankinën bardheblu. Një zgjedhje brenda familjes për të synuar objektivat sezonale. Egbo prej gjashtë vitesh është pjesë e stafit teknik të Tiranës ndërkohe që ka eksperiencën e duhur dhe kualifikimet përkatese për të drejtuar skuadrën.”
Në ndeshjen e parë si trajner i skuadrës Egbo e mohoi mundësinë për ta drejtuar deri në fund ekipin, por tanimë gjërat kanë ndryshuar dhe me të në krye Tirana synon të shpallet kampion në 100-vjetorin e krijimit.