TIRANE-  Presidenti i Republikës Bujar Nishani i ka shprehur ngushëllimet Presidentin amerikan Obama për ngjarjen tragjike në Shkollën “Sandy Hook Elementary” të Connecticut-it

“Me një tronditje dhe hidhërim të madh kam mësuar për ngjarjen tragjike në qytetin e Newtown të Connecticut, ku në shkollën “Sandy Hook Elementary”, kanë humbur jetën 26 qytetarë amerikanë, midis tyre dhe 20 fëmijë të pafajshëm!.

Në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju shpreh Juve, familjeve të viktimave, si dhe popullit amerikan, ngushëllimet më të ndjera. Fatkeqësisht, në këto raste vuajtja është aq e thellë sa që fjalët nuk mund të shprehin dot atë që ndodh. Na mbetet vetëm të shpresojmë që gjëra të tilla nuk do të ndodhin më në shoqërinë njerëzore, e cila po përpiqet gjithmonë e më shumë të përparojë dhe nuk duhet të bjerë kurrë në nivele të tilla tmerri. “- thuhet në mesazhin e ngushëllimit. Duke shprehur dhe një herë ngushëllimet e mia të sinqerta si dhe ato të familjes sime, ju lutem pranoni, i nderuar Zoti President, ndjenjat e solidaritetit të popullit shqiptar me popullin amerikan!” - theksohet në mesazhin e Presidentit Nishani.

BERISHA MESAZH OBAMES
Kryeministri Sali Berisha përmes një mesazhi ka ngushëlluar Presidentin Obama për ngjarjen tragjike në Shkollën "Sandy Hook Elementary" në Connecticut.

"Ngjarja tragjike në qytetin e Newtown, Connecticut, në të cilën humbën jetën 26 qytetarë amerikanë prej të cilëve 20 fëmijë të pafajshëm, ishte një lajm tronditës për mua dhe për të gjithë shqiptarët. Duke ju shprehur familjeve të viktimave, popullit amerikan dhe ju Zoti President ngushëllimet më të sinqerta, lutem së bashku me ju që shpirtrat e pafajshëm të fëmijëve, viktima të këtij akti të tmerrshëm, të gjejnë paqen e merituar. Me respekt, Sali Berisha”, thuhet në njoftimin për shtyp të Kryeministrisë.

PANARITI SHPREH NGUSHELLIMET
Ministri i Jashtëm Edmond Panariti përmes një mesazhi ka shprehur ngushëllimet lidhur me tragjedinë në Konetikat në SHBA.

“Me dhimbje të thellë mësova për tragjedinë që ndodhi në Konetikat të SHBA, nga e cila humbën jetën më shumë se 20 persona, pjesa më e madhe e të cilëve fëmijë. Përmes dhimbjes përcjell tek ju dhe tek familejt e viktimave ngushëllimet e mia më të sinqerta dhe solidaritetin për këtë ngjarje të hidhur. Duke u bashkuar në këtë ditë tragjedie shpreh bindjen se me forcën që e karakterizon populli amerikan do të dijë ta kalojë këtë moment të vështirë”, thuhet në njoftimin për media të MPJ-së.



(sg/eç/shqiptarja.com)