Policia ka arrestuar përgjegjësin e punimeve të pallatit tek 21 dhjetori ku dje humbi jetën një punëtor 58 vjeçar Tonin Marku, banues në Kamëz.

Policia thotë se punëtori ishte i pasiguruar dhe nuk i ishin siguruar kushtet e mbrojtjes në punë. Për pasojë në pranga ka rënë një 34-vjeçar,  përgjegjës punimesh në pallatin ku u gjet i pajetë Tonin Marku.

"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë arrestuar në flagrancë shtetasin E. N., 34 vjeç, banues në Fushë Mëzez, përgjegjës punimesh në pallatin ku u gjet i pajetë shtetasi T. M., mesditën e djeshme. Nga verifikimet e kryera për këtë rast ka rezultuar se shtetasi T. M., 58 vjeç, ishte punësuar në mënyrë të paligjshme dhe nuk i ishin siguruar kushtet e mbrojtjes në punë. Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi T. M., duke punuar në pallatin në ndërtim, është rrëzuar nga një lartësi mes 2 kateve të parkingut dhe si pasojë ka humbur jetën" informoi sot policia.